2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Biden: Nëse bëhem president, do ta ndihmoj Shqipërinë dhe Kosovën

Rekomandime

Në kuadër të fushatës elektorale, ish-zëvendës presidenti Joe Biden, që këtë herë garon për të drejtuar Shtetet e Bashkuara, ka shpalosur edhe vizionin e tij për marrëdhëniet me faktorin shqiptar. Në një dokument të shpërndarë nga stafi i tij elektoral thuhet se, Biden është një mik i ngushtë i Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe i komunitetit shqiptaro-amerikan. Si president, ai do të vijojë të mbështesë sigurinë e Shqipërisë, si dhe zhvillimin ekonomik dhe demokratik të Ballkanit. Gjithashtu, Biden është i vetëdijshëm për rolin e luajtur nga NATO dhe kërcënimin rus që i kanoset rajonit – thuhet në dokument. Si senator, Biden ka qenë një zë i theksuar në Kongresin amerikan kundër agresionit të Sllobodan Millosheviçit. Ai mbrojti interesat e Kosovës atëherë kur vëmendja e gjithë botës ishte gjetkë. Gjithashtu, Biden ishte njeriu që prezantoi rezolutën 1999, që autorizonte presidentin Clinton të kryente operacione ushtarake ajrore dhe sulme me raketa ndaj Republikës Federale të Jugosllavisë. Ai mobilizoi mbështetjen për fushatën ajrore të NATO-s dhe për përgjigjen humanitare ndaj spastrimit etnik të kosovarëve nga trupat e Millosheviçit.

- Advertisement -

Biden ka qenë gjithashtu njeriu që mbështeti dhe mbrojti pavarësinë e Republikës së Kosovës, që sipas tij është e pakthyeshme dhe në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ai gjithashtu ka kërkuar drejtësi për krimet e luftës, përfshirë llogaridhënien për personat e zhdukur dhe vazhdimisht i ka bërë presion presidentit Vuçiç për progres në zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyçi. Ndër të tjera, ai i ka bërë presion liderëve të Ballkanit që të luftojnë korrupsionin.

Biden ka ruajtur interesat e nivelit të lartë në Kosovë, duke e vizituar vendin dy herë si zëvendës president.

Por çfarë do të bëjë Joe Biden si president i Shteteve të Bashkuara? Në dokumentin e shpërndarë nga stafi i tij thuhet se, së pari, Biden do të zhbëjë qasjen e pabalancuar të administratës Trump kundrejt Kosovës dhe Serbisë, duke rikthyer paanësinë dhe barazinë në marrëdhëniet mes tyre dhe duke punuar për një bashkëpunim më të gjerë. Ai do të punojë në partneritet me Bashkimin Evropian për t’i dhënë shtysë dialogut Kosovë-Serbi, me qëllim lehtësimin e stabilizimit dhe arritjen e një marrëveshjeje mes dy vendeve që respekton integritetin territorial të Kosovës dhe sjell njohjen reciproke.

- Advertisement -

Gjithashtu, ai do të insistojë që të bëhet drejtësi për krimet e luftës dhe do të kërkojë mbajtjen e përgjegjësisë për personat e zhdukur. Biden do të mbështesë misionin e KFOR-it dhe do të vendosë për praninë e trupave amerikane duke u bazuar në interesat amerikane të sigurisë dhe jo ato politike. Ai do të inkurajojë Bashkimin Evropian të mbajë premtimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të çuar përpara integrimin evropian të saj, përfshirë përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Biden do të forcojë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë duke rritur marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes, për t’u siguruar që Shqipëria të mbetet një aleate e fortë në NATO, duke zgjeruar marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, si dhe duke zhvilluar bisedime direkte për të diskutuar përgjegjësinë dypalëshe në rast se idealet demokratike dështojnë.

Nuk do të mungojë as mbështetja për rrugën Evropiane të Shqipërisë. Që do të thotë se administrata e Biden do të ndihmojë vendin tonë për të implementuar reforma të vështira si sundimi i ligjit, ndëshkimi i korrupsionit dhe ato gjyqësore dhe elektorale, të kërkuara për të avancuar procesin. Gjithashtu, Biden do të punojë për t’u siguruar që BE t’i mbajë dyert e hapura për Shqipërinë kur ajo të jetë gati për anëtarësim. Në fund, Biden si president i Shteteve të Bashkuara, me ndihmën e partnerëve evropianë, do të ndihmojë në rikuperimin e ekonomive të shkatërruara nga pandemia dhe do të ndërtojë një të ardhme më të sigurt.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit