Poetja dhe gazetarja kosovare, Naime Beqiraj e ka kujtuar me dhembje shkuarjen në amshim të shkrimtarit e studiuesit, Ramadan Musliu. Ajo ka lënë të nënkuptohet që Covid 19 mund të ketë qenë shkaktar që ai ndërroi jetë.
Ky është postimi i saj:
Dan bre, pse bre Dan shkove?
Bisedën e fundit e bëmë të takoheshim pas dy ditësh në Prishtinë
“Redaktimin e librit ta besoj vec ty xha Dane”, unë me humor.
“Si gjithnjë. Edhe dy ditë besoj me kalon covid e kolli, e lo fshatin e rithehna në Prishtinë, qoftë edhe për ta pirë nga një kafe”, ai me humor.
Miku im, i mirë, më i miri. Poeti fin, kritiku më i mirë letrar që ka pas ky vend, i mbylli sytë përgjithmonë.
Njeriu që kurrë sëmundje në trup nuk pat, nuk piu duhan, nuk vuajti. Njeriu që bëri më shumë për të tjerët se sa për vete. Autori i disa librave me poezi, kritikë, studime, publicistikë. Më i dituri ndër ne.
Zemra më dhemb për ty Dan i dashur, për Misreten, për Syhanen, Mendimin, Ardianën e Lirën, për mbesat që ta ringjallën shpirtin – familje e rrallë ku flitej për artin e dashamirësinë, aty ku me dekada hëngra bukë e mora aq shumë dashuri.
Prisnim e luteshim që ditët e fundit me covid të tejkaloheshin e ti përsëri të më qerasje me kafe në Elida.
Tash ke shkuar të prindët, të Ibrahim Rugova që e pate mik dhe e deshte shumë
Kemi me të kujtu gjatë Dan
Harresa nuk takohet kurrë me veprën tënde