Flutura Kusari, juriste e së drejtës së medias, i ka dal në mbrojtje Ministres së Financave, Hykmete Bajramit për skandalin me 2 milionë eurot e Thesarit të Shtetit.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Kusari ka thënë se të kërkosh dorëheqjen e Bajramit është hipokrizi.
“Bravo Hikmete Bajramit që doli dje me japë llogari para mediave. Nuk ndodhë shpesh që politikanët, në kohë skandalesh, me u ballafaqu me publikun. Zakonisht ikin si pulat. Me kërku prej saj me japë dorëheqje është bullshit dhe hipokrizi”, ka shkruar Kusari.
Sipas saj, dje Bajrami ka dhënë informacione të vlefshme për rastin, e që thotë se asnjë politikan tjetër s’do të guxonte ta bënte.
Ndryshe, deri tash për këtë rast është arrestuar një person, ndërsa dy të tjerë gjenden në arrati.
“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro.
Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, ka njoftuar dje Policia e Kosovës.