Ministria e Mbrojtjes përmes një komunikate për media ka njoftuar se FSK’ja ka realizuar stervitjen e ushtarëve për certifikimin e tyre në mbrojtjen territoriale.
“Në poligonin e stërvitjeve kolektive taktike të FSK-së në Babaj të Bokës, u realizua Stërvitja fushore “ Ujku Alfa-1” me demonstrimin stërvitor pesëditor të shkathtësive operuese të njësiteve të Komandës së Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së Forcave Tokësore për validimin (certifikimin) e tyre në detyrat e mbrojtjes territoriale. Në këtë ngjarje të veçantë, morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe komandanti i Komandës së Forcave Tokësore, gjeneral brigade Fadil Hadërgjonaj dhe oficerë tjerë të lartë të FSK-së.Ata u pritën nga komandanti i Regjimentit të Parë të Këmbësorisë, nënkolonel Albert Kuçi i cili me stafin e tij njoftuan lidhur me aktivitetet e zhvilluara në stërvitjen përkatëse, të arriturat, sfidat dhe qëllimin final të saj”, thuhet në komunikatë.
Në vijim, para fillimit të demonstrimit stërvitor, fjalën e mori ministri i Mbrojtjes Anton Quni i cili duke përshëndetur trupat e Regjimentit të parë të Këmbësorisë për këtë arritje të veçantë ndër të tjera u shpreh se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë shënuar një pikë kthese në historinë e tyre, duke validuar sot aftësitë dhe kapacitetet e para ushtarake në nivel skuadre për mbrojtjen territorial të vendit dhe pjesëmarrjen dinjitoze krah për krah forcave aleate në operacione paqeruajtëse.
“Validimi i këtyre skuadrave shënon përmbushjen më të rëndësishme deri më tani të detyrave tona që dalin nga Plani Gjithëpërfshirës të Tranzicionit . Me krenari këtë hap cilësor mund ta quajmë një ngjarje të veçantë në historinë e forcave tona”, – theksoi më tej ministri Quni.
Nga ana e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama vlerësoi lartë validimin e skuadrave të para të Regjimentit të Parë të Këmbësorisë, si një arritje të veçantë, që i dedikohet punës, disiplinës, sakrificës dhe profesionalizmit të të gjithë personelit të kësaj njësie, për të cilët, ai shprehu edhe falënderimet dhe mirënjohjen e tij personale.
“Procesi i validimit sa krenari për ne më shumë nënkupton përgjegjësi dhe sakrificë. Ne do të vazhdojmë tutje deri në realizimin e plotë të objektivave tanë strategjik dhe vizionit tonë për të ardhmen” tha ndër tjera gjeneral Rama.
Kompania A e Regjimentit të Parë të Këmbësorisë gjatë stërvitjes validuese nga data 26.10.2020 iu nënshtrua një sërë skenarësh, të përgatitur mbi praktikat më të mira të stërvitjes dhe vlerësimit të vendeve të NATO-s dhe të bazuar në doktrinat e Aleancës të forcave këmbësorike, duke testuar kapacitetet zotëruese operacionale , por edhe aftësitë e tyre profesionale në fushën e luftimit.
Demonstrimi stërvitor u përmbyll me zhvillimin e operacionit luftarak në stacionit e fundit dhe konfirmimin e suksesit të plotë nga ana e gjeneral Hadërgjonaj. Në këtë atmosferë të veçantë u ndanë edhe gradat për dy oficerë të angazhuar në stërvitje, respektivisht kapitenin e ri, Driant Hoti dhe togerin e ri, Valdrin Pollomi.