9.1 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Engel: SHBA duhet të luajë rol aktiv për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi

Rekomandime

Më pak se një javë para zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, kongresmeni demokrat Eliot Engel thotë se çfarëdo administrate të jetë në fuqi, duhet t’i kushtojë rëndësi zgjidhjes së çështjes së Kosovës dhe Serbisë dhe rajonit të Ballkanit në përgjithësi.

- Advertisement -

Në një diskutim organizuar nga prof. David Phillips i Universitetit të Kolumbias, kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, si edhe ish- Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright dhe ish-komandanti i lartë i NATO-s, Wesley Clark folën për të ardhmen e Kosovës.

Demokrati Eliot Engel, i bëri jehonë faktit se gjatë dekadave, republikanët dhe demokratët kanë ndjekur një politikë dypartiake ndaj këtij rajoni.

“Unë shpresoj që çfarëdo administrate të kemi, (cilindo) President, apo Kongres duhet ta kuptojmë se është mirë për Shtetet e Bashkuara të sigurohet që liria të përparojë në të gjithë botën, jo vetëm për të mirën e këtij rajoni, por edhe për të mirën e Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

- Advertisement -

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit gjatë administratës së ish-Presidentit Bill Clinton, Madeleine Albright, tha se diskutimi vinte në një moment shumë të rëndësishëm për politikën e jashtme amerikane.

“Shpresa ime është që javën e ardhshme të shënojmë një pikë kthese ku të mund të kemi një fillim të ri pas katër vitesh dështimi dhe të fillojmë të largohemi nga qasja e pabalancuar e administratës Trump ndaj Kosovës dhe Serbisë”, tha ajo duke përdorur një gjuhë të ngjashme me atë të kandidatit demokrat Joe Biden.

- Advertisement -

Edhe zoti Engel tha se shpreson që Shtetet e Bashkuara t’i kthehet një roli tradicional në marrëdhëniet e jashtme.

Por administrata e Presidentit Trump thotë se është pikërisht mënyra e saj jotradicionale, që i dha një shtysë të re bisedimeve Kosovë-Serbi, me rënien dakord për normalizimin ekonomik muajin e kaluar, në një takim të parë të një profili të tillë të lartë në Shtëpinë e Bardhë.

Në ceremoninë e Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Donald Trump tha se pas “vitesh negociatash të dështuara, administrata ime, propozoi një rrugë të re për të kapërcyer ndasitë”.

“Duke u përqendruar tek krijimi i vendeve të punës dhe rritja ekonomike, të dyja vendet ishin në gjendje të realizonin një arritje të madhe”.

Nuk është ende e qartë se si do të ndikojë një politikë e tillë tek një marrëveshje përfundimtare mes dy vendeve, pengesa më e madhe ndaj së cilës është mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Për organizatorin e diskutimit, Profesorin e Universitetit të Kolumbias, David Phillips, thotë se nuk do të ketë paqe derisa të ketë normalizim.

“Sipas mendimit tim normalizim do të thotë që Serbia ta pranojë se e ka humbur Kosovën për shkak të krimeve që Millosheviçi bëri, që Kosova është një vend i pavarur dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Nuk ka kthim mbrapa”, tha ai.

Pasojat e trashëgimisë së luftrave të viteve 90 në Ballkan, rëndojnë ende mbi rajon. Gjenerali Wesley Clark, ishte komandanti i forcave të NATO-s, kur aleanca ndërmori bombardime për të ndalur fushatën e Millosheviçit dhe forcave serbe ndaj Kosovës. Ai vlerësoi arritjet e Kosovës.

“Tani sfida është të ndërtohet një shtet të fortë ekonomikisht dhe politikisht në një nga rajonet më të vështira të botës”.

Kongresmeni Engel, duke vlerësuar angazhimin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit, gjë që u bë e njohur për herë parë, si një nga pikat e marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë, tha se ashtu si Izraeli dhe vendet arabe po punojnë bashkë, ashtu duhet të ndodhë edhe në Ballkan.

“Do të doja ta shihja në Ballkan, me shqiptarë dhe serbë dhe malazezë dhe të gjithë popujt që punojnë së bashku që jetojnë në një rajon shumë të vogël, por është më mirë për të dyja palët, ose të gjitha palët nëse ata punojnë së bashku dhe e njohin njëri-tjetrin”, tha ai.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit