Një ndër shtetet ku presidenti Donald Trump ka pasur epërsi të madhe ndaj rivalit Joe Biden që nga fillimi i numërimit të votave është Pensilvania. Sidoqoftë, kjo epërsi është zvogëluar shumëfish në krahasim me shifrën e një dite më parë.
Të mërkurën, për disa orë rresht gjatë numërimit, epërsia e Trumpit ndaj Bidenit në Pensilvani ishte mbi 600 mijë vota, por në orët e para të së enjtes ky dallim tash është më pak se 65 mijë vota, sipas të dhënave të publikuara nga televizioni CNN.
Ky rezultat mund të vazhdojë të ndryshohet dhe epërsia potencialisht të ngushtohet edhe më tej, sepse deri më tani janë numëruar vetëm 89 për qind e votave, shkruan Gazeta Express.
Ndryshe, Pensilvania konsiderohet si një ndër shtetet kyçe për përcaktimin e fituesit për shkak të numrit të madh të votave që ka në Kolegjin Zgjedhor – 20.
Zyrtarët e fushatës së Trumpit kanë vendosur që të paraqesin ankesë ligjore, duke kërkuar që procesi i numërimit në Pensilvani dhe në disa shtete tjera të ndërpritet, duke pretenduar pa fakte se ka mashtrime.
Ndonëse me numër shumë më të vogël të votave në Kolegjin Zgjedhor, shtet vendimtar në fund të garës mund të jetë edhe Nevada, ku Joe Biden aktualisht ka epërsi prej rreth 8 mijë votash. Atje janë nuëmruar 86 për qind e votave, ndërsa në pyetje janë gjashtë vota në Kolegjin Zgjedhor.