Në shtëpinë e të moshuarve në Prizren, e cila është në ndërtim e sipër janë larguar dritaret.
Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale në këtë qytet si investitor, fillimisht mendoi që dritaret dikush i vodhi për çka u njoftua edhe policia.
Mirëpo, sipas koordinatores së DPMS-së, Elhame Berisha po del se krejt tjetër kush i mori ato.
“Pas publikimit të lajmit në rrjete sociale është lajmëruar operatori ekonomik “G-Projecti” e kanë lajmëruar drejtorinë që dritaret i kanë larguar ata si kompani”, ka thënë Berisha.
Nga punëkryesi “G-Proejct” treguan se dritaret u larguan shkaku i mospagesës dhe të njëjtat do të rikthehen vetëm pas kryerjes së obligimeve nga komuna.
“Dritaret janë vendosur që nga viti 2019, dhe përderisa nuk janë të paguara ato janë pronë e operatorit ekonomik. Në rast se kërkohet nga ana e autoritetit kontraktues që t’i rivendosim dritaret dhe ato të paguhen, atëherë do të rivendosën menjëherë”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.
Për mos finalizimi i objektit që do të kushtojë 330 mijë euro kritika ka edhe Ilir Baldedaj, asamblist i AAK-së, që në Prizren është opozitë.
“Kjo është një papërgjegjësi e pushtetit se ajo ka qenë veç e nisur gurthemeli, për tri vite nuk kanë qenë në gjendje me ndërtuar Shtëpinë e Pleqve, kjo tregon për kompaninë që është e papërgjegjshme”, vlerëson Baldedaj.
Në lidhje me këtë rast zëdhënësi i Policisë në Prizren Shaban Osmanollaj, ka konfirmuar për Klan Kosovën se kanë intervistuar disa persona dhe se rasti akoma është duke u hetuar.