Ngjela: Vuçiq duhet të shpejtojë në njohjen e Kosovës, në të kundërten territori i Kosovës mund të shkojë deri në Nish.
Avokati shqiptar Spartak Ngjela, ka reaguar pas deklaratës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se mund të ketë konflikt me Kosovën, nëse nuk mund të ketë zgjidhje përmes dialogut.
Ngjela ka thënë se Vuçiq është i mërzitur nga humbja e presidentit amerikan Donald Trump dhe se Vuçiq po mendon ta “tremb” presidentin e zgjedhur Joe Biden, përcjell Bota sot.
Avokati ka theksuar se frika e Vuçiqit nga Bideni, lidhet me pozicionin primar që Biden pati në bombardimet anti-jugosllave të vitit 1999, për çlirimin e Kosovës.
Sipas Ngjelës, Vuçiq duhet të shpejtojë në njohjen e Kosovës, se, në të kundërten, siç ka thënë ai, territori i Kosovës mund të shkojë deri në Nish.
Reagimi i Ngjelës në Facebook:
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ka humbur qetësinë dhe kërcënon me luftë, siç po ndodh në Nagorno – Karabakh.
Kot mendoni se po kërcënon Shqipërinë. Në fakt, ai po flet me Joe Binden-in presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, dhe mendon se e tremb presidentin e sapozgjedhur të Amerikës me llojin e konfliktit territorial që po ndodh në Nagorno Karabakh, duke thënë: “kjo mund të përsëritet edhe në Ballkan”.
l.
Është i mërzitur Vuçiq, se kishte shpresë te Trump-i dhe Richard Grenell. Trump-i tani humbi.
Por, të kotë e kishte shpresën, se presidenti Trump nuk mund ta cenonte dot fare botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Nuk e patë sesi heshti për territoret! Asnjë president amerikan nuk e prek dot aleancën e fuqishme shqiptaro-amerikane.
As Shqipërinë dhe as Kosovën gjithashtu. Presidenti i Amerikës, nuk ka forcë që t’i heqë nga agjenda amerikane.
Kurse, frika e Vuçiqit nga Biden, lidhet me pozicionin primar që Biden pati në bombardimet anti-jugosllave të vitit 1999, për çlirimin e Kosovës.
Vërtet mendon ky kaqol se mund të trembë Joe Biden-in në hapat që ai pritet të hedhë për njohjen e pavarësisë së Kosovës?!
Asnjë shpresë nuk ka më Vuçiq.
Madje, duhet të shpejtojë në njohjen e Kosovës, se, në të kundërt, territori i Kosovës mund të shkojë deri në Nish. Lufta që kërkon të shpallë Vuçiq, e çon Kosovën deri në Nish, se deri aty janë shqiptarët. Dhe ai e di mirë këtë.
ll.
Ardhja e Biden-it si president i Shteteve të Bashkuara, do t’i japë një impuls të ri çështjes shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Sepse, edhe në presidencën Obama, si zëvendës-president që ishte, Biden ka qenë aktiv maksimalisht për pavarësinë e Kosovës. Në fakt, Biden është nga politikanët më të mëdhenj në historinë aktuale të Shteteve të Bashkuara.
Biden ka qenë mbi 30 vjet senator, dhe tetë vjet zv/president i Shteteve të Bashkuara.
Kjo, politikisht përbën potencë reale politike, por, në funksion të interesit amerikan në Ballkanin Perëndimor, ku në qendër është bota shqiptare, gjithçka pritet të flasë shqip.