Numri më i madh i pacientëve që kërkojnë trajtim në Kirurgjinë Plastike në QKUK, janë ata me djegie të ndryshme.
E djegiet më të mëdha vijnë nga pakujdesia me ibrikët e çajit të zi, ndryshe i njohur si çaji i ‘rusit’
Klinika e Kirurgjisë Plastike në QKUK është e vetmja qendër referente për pacientët kosovarë që kërkojnë ndihmë për trajtimin e djegieve.
Në këtë klinikë po ashtu trajtohen edhe patologjitë e shuplakës së dorës, lëndime të ndryshme si dhe sëmundje kongjenitale tek fëmijët.
Në këtë klinikë bëhet trajtimi i tumoreve beninje dhe malinje në secilën pjesë të trupit.
Një projekt që ka filluar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike është edhe rekonstruktimi i gjirit pas heqjes tek gratë të cilat kanë karcinoma dhe bëjnë amputimin e gjirit. Deri më tani janë kryer dy intervenime të tilla.
Në këtë klinikë ka vetëm një sallë operative çka bënë që pacientët të presin deri në një muaj në mungesë të hapësirave për trajtim.
Brenda ditës kryhen 4 deri 5 operacione. Gjatë muajit prill vjet janë kryer 145 operacione, ndërsa në ambulanten specialistike janë kryer 680 shërbime.
Numri më i madh i pacientëve që kërkojnë ndihmë në këtë klinikë, janë pikërisht nga djegiet.
Ato ndodhin zakonisht nga uji i nxehtë, kur fëmijët prekin ose bien në kazanë me ujë të vluar e poashtu një numër i madh i pacientëve digjen edhe nga ibrikët e çajit.
Për momentin në këtë klinikë ka filluar edhe shërbimi i mikrokirurgjisë me një ekip prej 4 kirurgëve të cilët janë trajnuar në Irlandë dhe Suedi. Këta kirurgë bëjnë riimplantimin e gishtit të këputur në aksidente.
Ky shërbim për momentin kryhet me anë të metodave me llupa, ndërsa Zatriqi thotë se SHSKUK iu ka premtuar se do t’i pajisin me mikroskop.
Edhe në këtë klinikë, sikurse në të tjerat ka mungesë të madhe të barnave dhe materialeve shpenzuese.
Ndonëse kërkesat janë të vazhdueshme, aty mungojnë medikamentet që nevojiten më së shumti si gazrat apo betadina për pastrimin e lëndimeve.