Peshkatari i varfër tailandez Naris Suwannasang duket se është bërë milioner brenda natës pasi ka gjetur në plazhin pranë shtëpisë së tij, një masë të madhe lëndës ambergris –substanca e çmuar e gjetur vetëm në stomakun e zorrët e balenave, që vjen në formën e jashtëqitjes ose të vjellës së tyre.
Gjashtëdhjetë vjeçari Suwannasang e gjeti lëndën e çmuar të përdorur në prodhimin e parfumeve në plazhin e Nakhon Si Thammarat, në jug të Tailandës.
Ambergris çmohet për zgjatjen e aromave të parfumeve aq sa një version sintetik i saj është prodhuar nga industria.
Naris thërriti kushërinjtë e tij për ta çuar ngarkesën në shtëpi. Ai ishte siguruar që kishte gjetur ambergris, kur kishte testuar një pjesë të saj dhe pa që merrte flakë.
Vlera e copës së tij të ambergris llogaritet në 2.5 milionë euro.
Naris tha për gazetarët: “Do të shkoj në polici për të regjistruar këtë që kam gjetur, pasi kam frikë se ma vjedhin në shtëpi”.
Ai shtoi se një biznesmen vendas i ka ofruar të 960,000 baht tailandezë (rreth 30 000 euro) per kilogram, për copën e tij rekord prej të vjelle të balenës.
Rroga aktuale e Naris është rreth 500 euro në muaj.
Ambergris njihet si “floriri i detit”.
Fosile të substancës datojnë deri 1.75 milionë vjet më parë dhe me shumë gjasa njerëzit e përdorin prej rreth 1000 vjetësh.
Lënda ka qenë mjaft misterioze deri në vitet kur nisi gjuetia masive e balenave në vitet 1800, kur u kuptua se prodhuesi i vetëm i saj ishte balena e spermës (Physeter macrocephalus).
Balenat e spermës hanë sasi të mëdha cefalopodësh si sepje e oktapodë. Në shumicën e rasteve pjesët e patretshme të presë së tyre “villen” jashtë para tretjes.
Në disa raste këto pjesë lëvizin në zorrë dhe bashkohen me njëra-tjetrën, duke krijuar gradualisht masën e ambergris. Kjo e fundit krijohet në zorrët e balenes gjatë disa viteve, të cilën ato më pas e nxjerrin si jashtëqitje apo nga sipër aparatit tretës.
Nga ambergris nxirret Ambrein, një alkool pa ngjyrë që përdoret për të zgjatur aromën e parfumeve.