Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar ashpër Qeverinë Hoti pas votimit të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Sipas LVV-së, ligji favorizon oligarkët dhe të pasurit, ndërsa dëmton taksapaguesit e varfër.
Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati në një konferencë për media tha se ligji ka shumë pabarazi.
“E pamë se u dëshmua ajo që kemi thënë që nga fillimi që qëllimi i kësaj qeverie është që me paratë që janë në buxhet të mos u ndihmojnë qytetarëve e me ato para që janë në buxhet ka tendencë t’u ndihmojë oligarkëve e bizneseve të afërta me ta”, ka thënë deputeti Hekuran Murati.
Tutje, ai ka pohuar se ligji ka shumë defekte.
“Ky ligj s’mund të quhet i rimëkëmbjes. Është me shumë defekte, ka shumë pabarazi. Mund të quhet si një ligj që merr paratë nga taksapaguesit e varfër dhe i orienton drejt të pasurve e qytetarëve të tjerë u thuhet merrni paratë tuaja nga Trusti”, theksoi ai.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës miratoi sot Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.