Spitalet mbushen me pacientë, mbi 900 të hospitalizuar.
Spitalet rajonale dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës po vazhdojnë të jenë të ngarkuara si pasojë e numrit të madh të pacientëve.
Në raportin e siguruar nga Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës, thuhet se gjatë ditës së sotme në këtë institucion janë të shtrirë 927 pacientë, nga të cilët 647 të konfirmuar pozitiv me COVID-19.
11 nga këta pacientë janë në respiratorë, 33 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 639 me oksigjen.
Vetëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të shtrirë 348 pacientë, nga të cilët 286 të konfirmuar pozitiv me COVID-19, 22 të konfirmuar negative dhe 32 të pakonfirmuar.
Nga ta 9 janë në respiratorë, 16 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 247 me oksigjen.
Ndërsa, në spitalet rajonale janë të shtrirë 579 pacientë, nga të cilët 361 të konfirmuar pozitiv me COVID-19, 111 të konfirmuar negativ dhe 107 të pakonfirmuar.
Nga ta 2 janë në respiratorë, 17 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 392 me oksigjen.
Në Spitalin e Prizrenit janë të shtrirë 160 pacientë, në Spitalin e Gjakovës 81 pacientë, në Spitalin e Pejës 78 pacientë, në Spitalin e Vushtrrisë 21 pacientë, në Spitalin e Mitrovicës 38 pacientë dhe në Spitalin e Ferizajit 56 pacientë.
Drejtorë të spitaleve rajonale disa herë kanë thënë për Express se janë të ngarkuar nga numri i madh i personave të hospitalizuar.
Ndërsa, derisa edhe numri i pacientëve me oksigjeno-terapi është i lartë, spitalet rajonale së fundmi janë ballafaquar me mungesë të oksigjenit.