4.5 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

“Nuk ka rëndësi çka mendojnë serbët”: Në Kosovë mirëpritet mundësia që Albright të jetë emisare, për Serbinë është shqetësuese

Rekomandime

Ditëve të fundit është përmendur përfshirja e ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeliene Albright, në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Madje kjo mundësi u përmend nga analisti amerikan Daniel Serwer, i cili tha se ajo duhet të përfshihet në këtë proces dhe se nuk ka rëndësi çfarë mendojnë serbët për të. Në Serbi veçse kanë nisur reagimet.

- Advertisement -

Në Kosovë mirëpritet inkuadrimi në dialogun me Serbinë i sekretares amerikane, që konsiderohet ndër figurat kyçe që u angazhua për çlirimin e Kosovës nga Serbia 21 vjet më parë. Monitoruesit e dialogut thonë se nëse kjo do të ndodhte do të ishte një lajm shumë i mirë për vendin.

Violeta Haxholli monitoruese e procesit të dialogut nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Gazetën Express se qysh në fillim përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut i ka dhënë dinamikë tjetër këtij procesi.

“Përfshirja aktive e SHBA-ve pa dyshim që i ka dhënë një dinamikë të re dialogut. Kjo u dëshmua edhe me arritjen fillimisht të tri letrave të qëllimit e me pas edhe marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington. SHBA ka arritur të organizojë takime të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë edhe në periudha kur procesi konsiderohej i pezulluar për shkak të refuzimit të palës serbe për të iu rikthyer dialogut”, ka thënë Haxholli.

- Advertisement -

Edhe pse nuk ka ende asgjë zyrtare për sa i përket përfshirjes së Albrightit në dialog, Haxholli tha se në rast se do të ndodhte një gjë e tillë, do të ishte një lajm i mirë për Kosovën.

“Tani ka disa spekulime se znj. Albright mund të përfshihet në këtë proces por ende nuk ka diçka zyrtare në këtë drejtim. Natyrisht nëse kjo ndodhë do të ishte lajm shume i mirë për Kosovën, duke pasur parasysh kontributin e çmuar dhe të vazhdueshëm që ish-sekretarja Albright ka dhënë për lirinë dhe shtet ndërtimin e Kosovës. Për më tepër përvoja e saj në politkbërje dhe në procese negociatore do ti sillte një dinamike pozitive dialogut Kosovë-Serbi”, ka thënë më tutje ajo për Express.

- Advertisement -

Njësojë po thonë edhe nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). Arbër Fetahu hulumtues në këtë organizatë dhe monitorues i dialogut ka thënë për Express, se involvimi i ish-sekretares Amerikane të shtetit në dialog do të kishte ndikim pozitiv në këtë proces.

“Ish-Sekretarja e Shtetit znj. Albright ka një histori të gjatë të involvimit në Ballkan dhe në kontekstin Kosovë-Serbi në veçanti. Përvoja e saj shumëvjeçare në diplomaci, dhe pjesëmarrja në procesin e Rambuillet dhe gjatë bombardimeve të NATO-s në ish-Jugosllavi, japin garanci që përfshirja e saj do të kishte ndikim pozitiv në dialog. Të gjendur në këtë situatë kur kemi një paqartësi se çfarë trajektore po merr dialogu, prezenca e znj.Albright në këtë proces do ta dëshmonte që administrata e Presidentit Biden, e ka për prioritet dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e një marrëveshje përfundimtare”, ka thënë ai për Express.

Involvimi i Albright në dialog, përparësi për Kosovën

Sipas tij në rast se ka përfshirje të Albrigt në dialog, Kosova do të kishte përparësi në këtë proces.

“Nëse znj.Albright veçse emërohet ndërmjetësuese në dialog, atëherë Kosova ka një përparësi pasi edhe Presidenti Biden është një politikan me histori të gjatë të përfshirjes në Ballkan – binom ky që garanton një qasje më të strukturuar dhe të kontekstualizuar të administratës së SHBA-së ndaj Kosovës”, ka deklaruar ai.

Madje Fetahu tha se ndikim të madh në zhvillimin e dialogut kanë pasur edhe vet ShBA-të.

“Përfshirja e SHBA-së e ka ndihmuar procesin e dialogut për t’i ruajtura ekuilibrat gjeopolitikë, dhe për ta shtyrë përpara faktin që njohja e Kosovës është realitet i pashmangshëm. Prej fillimit të dialogut më 2011( neglizhuar administratën e fundit) SHBA ka qenë e kujdesshme që të përkrahë dialogun zyrtar të Brukselit dhe të mos përfshihet si palë negociuse, kësisoj duke mos hapur rrugë për përfshirjen e Rusisë më pastaj si palë, gjithashtu. SHBA, përpos tjerash e ka ndihmuar dialogun, dhe sidomos Kosovën që një nga opsionet e marrëveshjes finale të jetë njohja reciproke”, ka pohuar ai.

Në ndërkohë dje gjatë ditës analisti amerikan, Daniel Serëer në një bisedë për televizionin serb “N1”, foli edhe për mundësinë e përfshirjes së ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright në dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk është me rëndësi se çfarë mendojnë serbët, nëse Madeleine Albright duhet të përfshihet, ose jo. Ajo do të përfshihet. Ajo është një ish sekretare e shtetit. Rryma është e rëndësishme, jo aq në Partinë Demokratike, por në botën demokratike, pjesën e botës demokratike që mendon për politikën e jashtme. Ajo është kryesuese e këshillit të Institutit Kombëtar Demokratik. Ajo do të përfshihet. Dhe ajo është gjithashtu dikush që jetoi në Serbi, ajo flet Serbisht. Unë mendoj se kjo duhet vlerësuar”, tha Server.

Për këtë deklaratë pati reagime edhe nga Serbia. Nemanja Staroviq nga Qendra për Stabilitet Social në Serbi u shpreh i shqetësuar për mundësinë që ish-Sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright të bëhet emisare e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi.

“Është e vështirë të imagjinohet se Madeleine Albright, me moshën e saj, mund të ketë një rol operacional në realizimin e politikës së jashtme amerikane, por ne nuk duhet ta neglizhojmë autoritetin që ajo ka brenda Partisë Demokratike, dhe kështu mundësinë e ndikimit në disa aktorë politikë. Nuk ka dyshim se çdo ndikim nga ana e saj do të ishte jashtëzakonisht i pafavorshëm për interesat e shtetit dhe popullit serb”, tha Staroviq.

Bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar në vitin 2011. Ideja ka qenë që të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve.

Deri te fillimi i bisedimeve ka ardhur pasi që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010 miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbia, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut Kosovë –Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Në një gjë të tillë kontribuoi mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2010, sipas të cilit, “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Sidoqoftë, edhe pse në fillim u paralajmërua që Kosova do të bisedojë me Serbinë vetëm për çështje teknike –të cilat janë udhëhequr nga ekipet teknike të të dyja shteteve – në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluar edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë presidencës Trump, Richard Grenell ishte i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit