Ka më shumë se një muaj që Vjosa Osmani është duke udhëhequr nga karrigia më e rëndësishme e shtetit.
Fotografia e saj, megjithatë, nuk po mbahet në zyrat e institucioneve shtetërore, siç përcaktohet me ligj për presidentin e vendit.
Në disa paraqitje publike e fotografi që janë publikuar nga zyrtarë të Qeverisë është parë se fotografia e ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi, po vazhdon të qëndrojë ende nëpër këto hapësira.
Pse po ndodh një gjë e tillë është sqaruar nga Protokolli i Shtetit.
Në rregulloren për Përzgjedhjen dhe vendosjen e fotografisë së Presidentit thuhet se deri në vendosjen e presidentit të zgjedhur qëndron fotografia e presidentit të mëparshëm.
“Deri në vendosjen e fotografisë së presidentit të zgjedhur qëndron fotografia e presidentit të mëparshëm”, thuhet në rregullore.
Media ka kontaktuar për këtë çështje edhe institucionet, në të cilat është vërejtur se nuk është ndërruar fotografia e presidentit.
Në MPJD kanë cituar rregulloren që është përfolur më lart.
“Në bazë të dispozitave ligjore të aplikueshme në Kosovë, konkretisht Neni 6, Pika 2, të Rregullores Nr. 19/2011 për Kriteret për Përzgjedhjen dhe Vendosjen e Fotografisë së Presidentit të Republikës së Kosovës, parashihet që “Deri në vendosjen e Presidentit të zgjedhur qëndron fotografia e Presidentit të mëparshëm””, thuhet në përgjigje.