Ndonëse mendoi se puna u krye dhe mori 12 mijë euro ryshfet pa u bërë shumë zhurmë, nuk kaluan as 5 minuta kur aty erdhi Policia dhe e arrestoi Gafurr Rexhën, i cili mbante pozitën e Inspektorit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës. E gjithë ngjarja ndodhi më 29 shtator 2020, në një nga restorantet e njohura në kryeqytet. Paratë, Rexha i kishte marrë nga një pronar ndërtimesh në Prishtinë, që t’ia mundësojë atij kryerjen e punimeve në objektin e nisur banesor, që tashmë ish-inspektori ia kishte ndërprerë, përkundër se ndërtuesi ishte në rregull me leje. Për këtë vepër, që në gjykatë e pranoi që e ka kryer, Gjykata Themelore e Prishtinës, para një jave dënoi Gafurr Rexhën me 1 vit burgim efektiv dhe 3 mijë euro gjobë.
Një çantë brenda se cilës ndodhej një zarf me 12 mijë Euro, Gafurr Rexha, kishte kërkuar që ta linte për pak kohë në banakun e një restoranti në Prishtinë, aty ku ai i kishte pranuar ato para si ryshfet nga Naim Berisha, një biznesmen i njohur ndërtimesh në kryeqytet.
Por, vetëm pak minuta më vonë, lokali ku ndodhej ish-Inspektori i Ndërtimeve në Komunën e Prishtinës u mbush me policë. Caku i tyre ishte pikërisht Rexha, që sapo kishte marrë paratë si ryshfet nga pronari i një blloku banesor në ndërtim, punimet e të cilave i kishte ndërprerë ish-Inspektori, përkundër se kompania ndërtuese ishte në rregull me leje nga Komuna e Prishtinës.
12 mijë Eurot, Gafurr Rexha arriti t’i shijojë në duart e tij, vetëm rreth 2-3 minuta, për të përfunduar pastaj vetë në paraburgim, ndërkohë që paratë u sekuestruan, shkruan Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
Kështu shpjegohet të ketë ndodhur e gjitha ngjarja e 29 shtatorit 2020, në aktakuzën që u ngrit ndaj Rexhës, fiks një muaj pas aferës së ryshfetit, që u zu në flagrancë, pasi po zbulohej nga Prokuroria e Shtetit, përmes masave të fshehta hetimore, me që biznesmeni Berisha i kishte njoftuar vetë autoritetet e sigurisë për ryshfetin që po i kërkohej ta jepte në këmbim të kryerjes së punimeve. Për rastin në fjalë, kishte raportuar Gazeta Online ‘Reporteri.net’ në natën kur ndodhi aksioni i arrestimit dhe kapjes së flagrancë të Rexhës, ndërkohë që Komuna e Shpend Ahmetit deklaronin se nuk ishin në dijeni për aksionin.
E kjo aktakuzë, prej të enjtes së shkuar po merr formë të aktgjykimit. Kjo pasi, Gjykata Themelore e Prishtinës dënoi si fajtor ish-Inspektorin Gafurr Rexha, pasi ai në gjykatë pranoi se kërkoi dhe mori ryshfet.
Madje edhe kërkoi falje dhe u zotua se nuk do të përsërisë më veprime të tilla.
“Deklaroj se e kam kuptuar aktakuzën dhe si të tillë pranoj fajësinë. Njëkohësisht ndihem keq dhe kërkoj falje për këtë rast sepse asnjëherë nuk kam pasë raste të tilla, si person zyrtar që kam qenë dhe nuk do të përsëris më një vepër të tillë”, tha Rexha para gjykatës më 10 dhjetor 2020, ndërkohë sa atij paraprakisht iu lexua aktakuza e ngritur më 29 tetor 2020.
Rexha u dënua më 1 vit burgim efektiv dhe 3 mijë Euro gjobë, për kryerjen e veprës penale të “marrjes së ryshfetit”. E ky dënim ndaj ish-Inspektorit Gafurr Rexha po shihet pozitivisht nga njohësit e fushës së drejtësisë.
Drejtori i Institutit Kosovar të Drejtësisë, Ehat Miftaraj, tha për Gazetën Online “Reporteri.net” se në raste të tilla është e rëndësishme që dënimi i shqiptuar ndaj të pandehurit, të shërbejë si në aspektin parandalues ashtu edhe represiv.
“Në këtë rast, me rëndësi është që në publik të dërgohet mesazhi se kushdo që keqpërdorë besimin e publikut duke e keqpërdorur detyrën zyrtare, merr dënimin nga Gjykata dhe i dënuari për gabimin e bërë do të vuaj pasojat juridike ku përfshihet dënimi me burg, por edhe me gjobë”, tha Miftaraj për Reporterin.
Ai konsideron se ky rast mund të hyjë në kuadër të rasteve të suksesit të punës së Prokurorisë dhe Gjykatës në trajtimin efikas dhe profesional të rastit.
Megjithatë, për Gafurr Rexhën kapja në flagrancë duke marrë ryshfet nuk ishte hera e parë që ra në duart e policisë. I njëjti ishte arrestuar edhe para më shumë se një viti, pasi bashkë me dy kolegë të tij dyshoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.
Prokurori i rastit për të cilin ish-Inspektori prishtinas u dënua me burgim, javën që shkoi, në aktakuzë theksonte se restoranti ku Rexha u kap në flagrancë me paratë që pranoi si ryshfet, ishte vend i frekuentuar shpesh nga tashmë i dënuari nga shkalla e parë e gjyqësisë. Madje, tregohet edhe për nofkën “Gafi” që sipas prokurorisë njihej Rexha nga kamerierët e lokalit.
E paratë të cilat iu dhanë me zarf, me llogo të kompanisë së ndërtimit nga pronari i së cilës ia kërkoi, Gafurr Rexha del se ia kishte kërkuar biznesmenit Naim Berisha përmes facebook’ut. Të njëjtat komunikime, thuhet në aktakuzë, u gjetën pas ekzaminimit të iPhone 8-shit në pronësi të ish-inspektorit.