Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka reaguar pas informacionit se serbët në veri të Mitrovicës së Veriut po vaksinohen me vaksinën kundër Covid-19, ‘Pfizer’, me të cilën po furnizohen nga Serbia.
Bahtiri ka thënë se Serbia nuk duhet lejuar të shkelë në sovranitetin e vendit, ndërsa ka folur “zi e terr” për qeverinë Hoti, shkruan “Kosova Ime”.
Postimi i tij i plotë:
Futja e vaksinës “Pfizer” nga Serbia në komunat veriore të Kosovës dhe nisja e vaksinimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës që jetojnë në këtë pjesë, është veprim i papranueshëm dhe i ndaluar.
Asnjë shtet, e aq më pak Serbia që nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe ka kryer krime e gjenocid në vendin tonë, nuk duhet lejuar ta shkel sovranitetin e shtetit.
Mirëpo, nuk mund të presim diçka më mirë nga një Qeveri e paligjshme me mandat të vjedhur, sepse si e tillë nuk përfaqëson interesat e qytetarëve të Kosovës dhe nuk punon për të mirën e përgjithshme, por i intereson vetëm interesi i klaneve të caktuara që ta shfrytëzojnë buxhetin e shtetit dhe gjitha asetet tjera publike për interesa personale.
Ishin po këta që e udhëheqin këtë Qeveri të paligjshme që për disa teste të COVID-19 të ardhura nga Serbia në kohën emergjente të pandemisë, nuk kanë lënë ‘guri’ pa lëvizur për ta sulmuar në çdo formë të mundshme Qeverinë e Kryeministrit Albin Kurti, ndërsa tash kokëulur e të heshtur rrinë para krekosjes së Vuçiqit, që thotë se po i vaksinon qytetarët serbë në pjesën veriore të Kosovës.
Për t’iu kthyer dinjiteti qytetarëve dhe serioziteti shtetit, duhet sa më parë të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat do ta dërgonin në shtëpi këtë Qeveri dhe do ta rikthenin Kryeministër Albin Kurtin, i cili do ta mbrojë dhe zhvilloj Republikën tonë.