Ka ndryshuar lista e personave më të pasur në Azi. Në vendin e parë tani është Zhong Shanshan, i cili është pasuruar përmes kompanisë për prodhimin e vaksinave dhe kompanisë për shitjen e ujit të pijshëm.
Vetëm gjatë këtij viti, biznesmenit kinez iu shtua pasuria për 7 miliardë dollarë, duke ia mundësuar vendin e parë në listën e personave më të pasur në Azi, para Mukesh Ambanit të Indisë dhe biznesmenit Jack Ma të Kinës.
Pasuria e Shanshanit tashmë ka arritur në 77 miliardë e 800 milionë dollarë amerikanë dhe sipas indeksit të Bloomberg-ut për milionerë, ai është njeriu i 11-të më i pasur në botë.
I njohur si “ujku i vetmuar”, Zhong Shanshani zhvilloi karrierë në fusha të ndryshme, përfshirë gazetarinë, kultivimin e kërpudhave dhe sistemin e kujdesit shëndetësor.
Kompania për prodhimin e vaksinave “Beijing Wantai Biological” i ka të vendosura aksionet në tregun kinez të aksioneve. Vlera e tyre është rritur mbi 2.000 për qind për shkak se kompania është përfshirë në zhvillimin e vaksinës kundër koronavirusit.
Shanshani e ka regjistruar kompaninë për ambalazhimin e ujit “Nongfu Spring” në bursën e Hong Kongut. Vlera e aksioneve të kësaj kompanie që nga debutimi është rritur për 155 për qind.
Bloomberg raporton se këto shifra të mëdha të rritjes së vlerës kanë ndikuar që Shinshani të bëhet njeriu më i pasur i Azisë dhe ai është një ndër personat që ka grumbulluar pasuri më së shpejti në histori.