Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Shqipëria ka siguruar 500 mijë doza të vaksinës anti-COVID të kompanisë Pfizer dhe një pjesë të kësaj sasie e ka premtuar edhe për Kosovën.
Ai përmes një adresimi të premten në mëngjes, tha se marrëveshja është zyrtarizuar dhe se dozat e para të vaksinës do të mbërrijnë këtë muaj.
Sipas tij, 10.750 dozat e para do të mbërrijnë në fillim të javës së tretë të janarit, 30.250 doza të tjera në shkurt, kurse të tjerat sipas planit.
“Kjo është nisja më e mirë e mundshme e këtij viti vendimtar të zmbrapsjes përfundimtare të këtij armiku të padukshëm”, tha Rama.
Ai kritikoi BE-në që ka lënë anash vendet e Ballkanit në lidhje me furnizimin me vaksina anti-COVID.
Në këtë hall përfshiu edhe Kosovën, por tha se Shqipëria do t’i bëjë zgjidhje.
Do të ofrojë një sasi të vaksinave për të vaksinuar punëtorët shëndetësorë në Spitalin e Prishtinës.
“Nuk do t’ia kthejmë shpinën Kosovës duke e lënë në pritje. Nuk ia zgjidhin këtë hall, por do i ndihmojnë. Kosovës do t’i dhurojmë një sasi për bluzat e bardha në mënyrë që heronjtë e vijës së parë në Spitalin e Prishtinës të nisin në të njëjtën kohë vaksinimin me heronjtë tanë”, ka thënë Rama.
Ai tha se për këtë ka kontaktuar edhe institucionet kosovare në lidhje me numrin që kërkohet.
Për qytetarët e Shqipërisë, tha se vaksina do të jetë falas.