Kryetitujt më të shpeshtë të shkrimeve apo analizave në mediat serbe janë: “Do të jemi pakicë kombëtare në Serbi”; “Në Serbi janë zbrazur 1600 fshatra”; “Nataliteti më i ulët në Evropë”; “Serbët zhduken brenda 500 viteve”?!
“Populli serb ngadalë vdes për shkak të mortajës së bardhë, Beograd: Katër varrime një pagëzim”, “Çdo e katërta femër serbe nuk është nënë”; “Çdo tre vjet nga një komunë më pak” etj.
Në realitet nataliteti është padyshim breng e madhe për Serbinë, pasi që brenda çdo viti zhduket nga një qytet. Thënë ndryshe, Serbia brenda çdo viti, zvogëlohet për 60 mijë banorë. Kjo është Murtaja e Bardhë që është duke e ndryshuar strukturën demografike të Ballkanit.
Kohëve të fundit mediat serbe i kanë kushtuar rëndësi edhe lëvizjes së popullsisë në Maqedoni. Prandaj, në mediat serbe vërehen edhe titujt: “Shqiptarët me natalitet ‘pushtojnë’ Maqedoninë”.
Enti statistikor i Maqedonisë ka konfirmuar paralajmërimet e demografëve maqedonas. Për herë të parë pas 65 viteve, vitin e kaluar maqedonasit “ranë” nën nivelin e 50 për qind të lindjeve.
Paralajmërimet, tashmë të njohura të demografëve në Maqedoni, bëjnë me dije se maqedonasit janë “në rrugë” që të bëhen pakicë në shtetin amë. Këto janë argumentet e reja të treguesve të Entit Shtetëror të Statistikave në Shkup. Për herë të parë, që nga viti 1948, kur është bërë regjistrimi i popullsisë për herë të parë si njësi në vete, vitin e kaluar maqedonasit etnikë “kanë rënë” nën nivelin e 50 për qind të lindjeve. Në Maqedoni janë lindur 11.603 maqedonas, 7.488 shqiptarë, 1,080 turq, 1,226 romë…
Në të njëjtin vit kanë vdekur 14.213 maqedonas. Sipas statiscientëve, bëhet me dije se ka tremijë vdekje më shumë se lindje. Vitin e kaluar, sipas treguesve të njejtë, kanë vdekur 3230 shqiptarë, që është përgjysmë më pak nga shifra 7488 të lindur. Dihet se zyrtarisht shqiptarët ende konsiderohen pakicë në Maqedoni.
Të dhënat statistikore nga tremujori i parë i këtij viti konfirmojnë se natalitet më të lartë kanë komunat me pjesëmarrje më të madhe apo që dominohen nga shqiptarët, siq janë: Tetova, Kumanova, Struga dhe komuna e Çairit në Shkup, Saraj, Orizare, Aeroport, Studeniçan, Bogovinë, etj.
Në anën tjetër, nivel më të ulët të natalitetit kanë komunat e Manastirit, Prilepit, Velesit, Koçanit, Ohrit, Kërçovës, Demir Hisarit, Bosilovës dhe komunat e Shkupit siç janë: Karposhi, Kisela Voda, të banuara kryesisht me maqedonas.
Në Maqedoni, nga viti 2002, kryesisht për shkak të konfliktit politik mes udhëheqësve maqedonas dhe shqiptarë etnikë në qeveri, nuk është bërë regjistrimi i popullsisë. Përpjekjet e fundit të vitit 2011, pas disa shtyrjeve, dështoi para se të përfundoj. Opozita në Maqedoni ka vlerësuar se vetëm Maqedonia dhe Somalia nuk kanë arritur të regjistrojnë popullsinë më shumë se 10 vjet, duke sugjeruar se ky duhet të jetë shkaku për reagim të OKB-së.
Deri sa të bëhet regjistrimi i popullsisë, të dhënat aktuale statistikore mbi popullsinë në Maqedoni mbeten ato të vitit 2002, me të cilën vendi ka 2.022.547 banorë. Nga ky numër, edhe pse në mënyrë të vazhdueshme maqedonasit janë në rënie, ende zyrtarisht konsiderohet se janë shumicë me – 1,297 000 ose 64.2 për qind, ndërsa shqiptarët 509,083 ose 25.2 qind.
Brengë e madhe e Serbisë është fakti se numri i serbëve në Maqedoni është gjithnjë e më i vogël.
Lakorja e diagramit, e cila paraqet numrin e serbëve në Maqedoni, sipas demografëve, tregon rënie krahasuese të regjistrimit të popullsisë në Maqedoni. Në vitin 1994, regjistrimi ka treguar se në Maqedoni kanë jetuar 40.228, ose 2.1 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë. Ndërsa vitin 2002, në këtë shtet kanë jetuar 35 936 serb që përbën vetëm 1, 7 % të popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë. Kështu paraqitet kjo çështje në të përditshmen beogradase Vecernje Novosti.
Shkalla e shtimit natyror në Serbi në vitin 2011 ishte pozitive vetëm në shtatë komuna: në Komunën Beogradit – Grocka, Novi Sad, Sjenicë, Novi Pazar, Tutin, Bujanoc dhe Preshevë
Serbia gjatë vitit 2011 ka regjistruar shtim negativ të popullsisë për minus 5.2 për qind, ndërsa popullsia e saj është zvogëluar për 32 683 në krahasim me vitin paraprak.
Sipas të dhënave të Entit të statistikave, nataliteti ishte 9 promilë, ndërsa shkalla e mortalitetit 14.2 promilë. Vlerësohet se numri i popullsisë në Serbisë në vitin 2011 ishte 7.258.753. Popullsia, në krahasim me vitin e kaluar, ka rënë me 0.5 pikë të indeksit.
Në të njëjtën periudhë, numri i lindjeve të gjalla ka rënë nga 68.304 në 65.598. Numri i vdekjeve ka rënë diç, dhe në vitin 2011 shkonte deri në 102.935, ndërsa në vitin 2010, kishin vdekur 103.211 persona.
Problemi kryesor i shoqërisë serbe është ai i plakjes së popullsisë dhe zhdukja e fshatrave, qyteteve dhe qytezave të vogla.
Mosha mesatare e popullsisë në Serbi është 41 vjeç, e cila radhitet në grupin e popujve të vjetër.
Sikur mos të ishin komunat shqiptare në Maqedoni ato të Sanxhakut (Tutini, Sjenica e N. Pazari) dhe të Kosovës Lindore (Presheva e Bujanoci), të cilat pothuajse janë të vetmet komuna që kanë shtim pozitiv, atëherë ku kishin me qenë Serbia dhe Maqedonia?
Nga Ismet AZIZI