Sir John Bell, profesor që është pjesë e ekipit të Universitetit të Oksfordit për zhvillimin e vaksinës kundër koronavirusit, e akuzoi presidentin francez, Manuel Macron, për përpjekje të uljes së kërkesës për vaksinën britanike kundër Covid-19 pas pretendimeve të politikanit se vaksina e AstraZeneca-s është “kuazi-efektive” për personat më të moshuar se 65 vjeç.
Presidenti francez e bëri këtë pretendim vetëm disa orë para se vaksina e zhvilluar nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit të miratohej për përdorim tek të gjithë të rriturit nga Bashkimi Evropian.
Gjatë një konference për gazetarë të mbajtur të premten pasdite në Paris, Makroni tha se kjo vaksinë nuk funksionon ashtu siç është pritur, shkruan The Northern Echo, transmeton Gazeta Express.
Ai dukej se gjithashtu po e kritikonte strategjinë e Britanisë së Madhe për vaksinimin e popullsisë, që deri tani ka rezultuar në numrin më të madh të dozave të dhëna në Evropë. “Qëllimi nuk është që të arrihet numri më i madh i dozave të para”, tha Makroni.
Profesori Bell iu kundërpërgjigj këtyre deklaratave. Ai për Radio BBC-në tha: “Nuk jam i sigurt nga e mori ai këtë (pretendim). Studimet tjera kanë treguar se personat e moshuar kanë reaguar po aq mirë sa grupmoshat tjera.”
“Është vërtet dëshmi bindëse se kjo është vaksinë mbrojtëse në këto grupe popullatash. Unë dyshoj që kjo ka të bëjë pak me menaxhimin e kërkesës nga z.Makron”, shtoi profesori i Oksfordit.
I pyetur nëse mendon që presidenti francez po përpiqet që ta zvogëlojë kërkesën për vaksinën e Oksfordit, shkencëtari britanik tha: “Nëse ai nuk ka ndonjë vaksinë, gjëja më e mirë që mund të bëni është që ta zvogëloni kërkesën”.