Gjykata e Lartë në Beograd i ka dhënë të drejtë ministrit serb, Aleksander Vulin, i cili përdori gjuhë fyese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve, duke iu referuar atyre me termin “šiptari”.
Kështu ka njoftuar deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi, i cili ka thënë se gjykata ka refuzuar ta shpallë Vulinin fajtor, ndonëse ai vazhdimisht e përdor këtë gjuhë fyese ndaj shqiptarëve.
“Sot, Gjykata e Lartë në Beograd ka refuzuar ta shpallë fajtor Ministrin Aleksandër Vulin për diskriminim, fyerje dhe gjuhë të urrejtjes ndaj shqiptarëve. Siç dihet, ish-zëdhënësi i Mira Markoviqit dhe Ministri i sotëm i Brendshëm i Aleksandër Vuçiqit, përdor vazhdimisht terminologjinë fyese ‘šiptari’ në vend të terminologjisë zyrtare në Serbi: ‘albanci’”, ka shkruar ndër të tjera Kamberi në Facebook.
Ai ka thënë se gjykata e ka cilësuar si të pabazuar padinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar, duke i dhënë tashmë edhe fuqi juridike institucionalizimit të gjuhës së urrejtjes, mosdurimit dhe ksenofobisë ndaj shqiptarëve në përgjithësi, e atyre në Serbi në veçanti.
Kjo gjë, sipas tij, nuk ka ndodhur as në kohën e Sllobodan Millosheviqit.
Kamberi, në cilësinë e shefit të Grupit Parlamentar “Lugina e Bashkuara – SDA Sanxhak”, ka njfotuar se ka filluar ndërmarrjen e veprimeve institucionale në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar.
Ai ka ftuar autoritetet e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të vendeve të rajonit, që të reagojnë ndaj Beogradit për ta ndaluar, siç thotë ai, institucionalizimin tashmë edhe juridik të gjuhës së urrejtjes ndaj minoriteteve në Serbi.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë në Beograd është precedent tepër i rrezikshëm për minoritetet në Serbi, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar ai.