Shteti serb përmes mediave që kontrollon përsëri i është rikthyer propagandës kundër shtetësisë së Republikës së Kosovës.
Këtë radhë mediat serbe pretendojnë se në Ambasadën e Serbisë në Nairobi ka shkuar një letër nga Ministria e Jashtme e Komoreve, ku thuhet se pozicioni i tyre për mos-njohjen e Republikës së Kosovës si shtet mbetet i pandryshueshëm.
Këto raportime vijnë pavarësisht faktit se ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, kishte thënë se Kosova vendosur marrëdhënie diplomatike me Komoret.
Në letrën të cilës i referohen mediat serbe e që thuhet t’i jetë dërguar Ambasadës së Serbisë në Nairobi, pretendohet që Ministria e Jashtme e Komoreve ka mohuar të ketë vendosur raporte diplomatike me Kosovën.
Kjo është hera e dytë që mediat serbe raportojnë për Ishujt Komore. Edhe në vitin 2018 kishin shkruar se e kishin tërhequr njohjen për Kosovën, derisa lajmi ishte mohuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës.
“Serbia po keqpërdorë edhe reputacionin e vendeve të cilat e kanë njohur Kosovën, duke përdorë logjiken e regjimit të Millosheviqit, me të cilën propaganda dhe mashtrimi synohej ta zëvendësonin realitetin.
Të gjitha vendet në të cilat thirret Serbia, kanë konfirmuar që bëhet fjalë për lajme të rreme, dhe se njohjet e tyre konform praktikes së marrëdhënieve ndërkombëtare janë akte të pakthyeshme”, thuhet në deklaratën e vitit 2018 të MPJ-së.