Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë publikuar disa të dhëna nga numërimi i votave me postë. Sipas tyre, me këtë trend, LVV mund t’i marrë mbi 80% të votave nga diaspora.
Nga disa të dhëna të publikuara nga numërimi i 300 votave në një vendvotim në Gjilan, shkruhet se LVV-ja ka marrë 260 prej tyre, apo 88%.
Në letrën e publikuar në rrjetet sociale nga aktivistë të LVV-së, shkruhet se PDK-ja ka marrë 24 vota, LDK-ja 11, AAK-ja 1, ndërsa Nisma asnjë votë.
Në këtë letër figurojnë të regjistruara edhe 4 vota të pavlefshme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot në mëngjes ka nisur numërimi i votave me postë.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se në këtë grup hyjnë 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime.
“Është e vështirë ta themi se sa ditë do të na duhet për numërimin e këtyre fletëvotimeve, sepse janë 56.610 zarfe me fletëvotime, janë 45 tavolina në të cilat do të numërohen këto vota”, ka thënë ai.