10.1 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Pesë deputetë të mundshëm nga komunitetet konfirmojnë votën për Qeverinë Kurti

Rekomandime

Kur kanë mbetur edhe pak vota pa u numëruar nga diaspora në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, kanë filluar edhe lëvizjet e para se kush mund të jenë partnerët e mundshëm të Lëvizjes Vetëvendosje në qeverinë e ardhshme që pritet të votohet nga deputetët e ardhshëm të Kuvendit.

- Advertisement -

Pesë deputetë të mundshëm nga partitë e komuniteteve në Kosovë, kanë konfirmuar për Telegrafin se do të votojnë pro një qeverie të udhëhequr nga Albin Kurti.

Partia turke, KDTP që pritet t’i ketë dy përfaqësues si dhe deputetët tjerë të mundshëm, Emilija Rexhepi nga komuniteti boshnjak, Danush Ademi nga komuniteti ashkali dhe Elbert Krasniqi nga komuniteti egjiptian pritet që ta përkrahin formimin e Qeverisë Kurti 2.

Fikrim Damka nga Partia Demokratike Turke në Kosovës, ka thënë se ata do të kenë takim me Kurtin para formimit të Qeverisë, megjithëse ka shtuar se gjithmonë kanë qenë pro formimit të institucioneve të Kosovës gjatë këtyre viteve.

- Advertisement -

“Ende nuk kemi zhvilluar takim me Kurtin për të biseduar për krijimin e institucioneve, besoj se pas rezultateve përfundimtare do të kemi takim për krijimin e Qeverisë. Por, ne si KDTP gjithmonë kemi qenë përkrahës në krijimin e institucioneve, rolin e kemi pasur konstruktiv për të mirën e Kosovës. Për kërkesat do të bisedojmë me kryeministrin por kërkesat tone janë për interesin komunitetin sidomos që të përfshihet në programin qeverisës”, u shpreh Damka për Telegrafin.

Edhe Emilija Rexhepi, përfaqësuese e NDS-së, po ashtu ka thënë se marrëveshja me Qeverinë në ardhje do të jetë e njëjtë sikur ajo që e kanë pasur në Qeverinë Kurti 1.

- Advertisement -

“Ne kemi një vend në parlament si vazhdimisht, jemi parti parlamentare prej vitit 2009. Po patjetër se unë do ta votojë Qeverinë Kurti 2 edhe vazhdojmë ashtu siç kemi bërë marrëveshje në Qeverinë Kurti 1”, tha Rexhepi.

Se do të votoj pro, nëse zgjidhet deputet, për Telegrafin e ka konfirmuar edhe Danush Ademi nga Partia Demokratike e Ashkalinjëve të Kosovës.

Ai ka thënë se kërkesat e tyre nuk do të jenë të veçanta, vetëm për komunitetin e tyre, po do të kërkojnë vetëm që të gjendet një zgjidhje familjet që janë pa strehë nga ky komunitet në Kosovë.

“Unë do ta përkrahi Qeverinë. Presim ndryshime nga kjo Qeveri. Ka mundësi që te puna e Presidentit të kemi pak telashe por besoj që edhe ato do të tejkalohen sepse skena politike besoj se është vetëdijësu ma se çdo 3 apo 4 muaj në zgjedhje nuk shkohet. Besoj se kësaj radhe do të kthehet buzëqeshja te popullata, sepse Vetëvendosje e ka një kuadër të ri dhe kuadri i ri bën gjithçka për popullin. Nuk kemi ndonjë kërkesë të veçantë. Ne do të kërkojmë që të strehohen njerëzit që kanë nevojë. Por, nuk është kjo kërkesë e veçantë, është edhe në interes të Qeverisë që të mos i lë qytetarët edhe pas 20 vjetëve nëpër qorrsokaqe”, tha Ademi.

Edhe përfaqësuesi i IRDK-së, Elbert Krasniqi po ashtu ka thënë se bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje do të vazhdojë edhe në këtë mandat.

Ai tha se kërkesat e tyre si egjiptian janë përmirësimi i kushteve të jetesës për komunitetin e tyre, si ne arsim, punësim e banim.

“Në legjislacionin e kaluar kemi pas bashkëpunim të shkëlqyeshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, si rezultat i të cilit bashkëpunim kam vepruar në kuadër të grupit parlamentar të Lëvizjes dhe kemi përkrahur Qeverinë Kurti. Besoj që dhe në këtë legjislacion do vazhdojmë të kemi bashkëpunim të mirë me qëllim të avansimit të komunitetit që unë përfaqësoj dhe grupeve tjera të cenueshme. Kërkesat tona si përfaqësues të komunitetit Egjiptian karshi qeverisë në ardhje ndërlidhen me fushat ku intervenimi i qeverisë është më i nevojshëm me qëllim të përmirësimit të jetesës së tyre, gjegjësisht në edukim, punësim dhe banim”, u shpreh Krasniqi.

Ndryshe, gjatë konferencës për medie që e mbajti kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, deklaroi se për formimin e Qeverisë do t’i kenë më shumë se 61 vota.

Ai theksoi se nuk do të kenë nevojë për të bërë kompromise me “eksponentë të regjimit të vjetër”.

Kurti gjatë konferencës për medie, tha se Qeverinë në ardhje do ta ketë përkrahjen edhe të dy deputetëve të pakicave, Emilija Rexhepit dhe Elbert Krasniqit.

“Sigurisht se do ta kemi deputeten nga komuniteti boshnjak Emilja Rexhepi dhe deputetin egjiptas, Elbert Krasniqi, do t’i kemi edhe disa të tjerë. Na nevojiten 61 deputetë, do t’i kemi më shumë se 61. Nuk do të kemi nevojë për kompromise me eksponentët e regjimit të vjetër”, tha Kurti.

Në bazë të statistikave të publikuara nga Eugen Cakolli prej Institutit Demokratik të Kosovës i cili thirret në rezultatet dhe votave të deritanishme, përfshirë votat e rregullta, votat me kusht, si dhe rreth 60% të votave me postë që janë numëruar deri tash, Vetëvendosje pritet t’i ketë 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 8.

Sipas deklaratave të deputetëve të mundshëm të komuniteteve dhe analizës së Cakollit, Qeveria Kurti 2 mund të votohet me mbi 63 deputetë.

Ndërsa KQZ ka paralajmëruar që së shpejti pritet të përfundojnë numërimi i votave nga diaspora dhe pastaj mund të shpallen rezultatet finale.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit