Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar në Gjirokastër se “nuk mund të ndryshohet kushtetuta shpejt dhe lehtë për t’u bashkuar Kosova me Shqipërinë”.
Kurti përmendi edhe njëherë nenin 1.3 të Kushtetutës së Kosovës që ndalon bashkimin e Kosovës me ndonjë shtet tjetër.
“Në Kosovë, ne kemi mungesë të ligjit për referendume. Një nga detyrimet që kemi marrë përsipër në fushatën zgjedhore është se ne jemi përkushtuar ndaj ligjit për referendume. Por ligji për referendume nuk është i mjaftueshëm. Fatkeqësisht, kur Kushtetuta e Kosovës ishte miratuar në qershor 2008, neni 1.3 thotë se ne nuk kemi të drejtë të bashkohemi me një shtet tjetër, ne duhet ta ndryshojmë atë një ditë, por nuk bëhet shpejt dhe lehtë, sepse na duhen edhe votat e dy të tretave të pakicave në Kuvend”, tha Kurti.
Fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurti riktheksoi edhe çështjen e dialogut me Serbinë, sesi i vendosi bisedimet me shtetin serb në prioritetin numër katër.
“Sa i përket dialogut me Serbinë, rëndësia e këtij dialogu është në vendin e gjashtë ose të shtatë në opinionin publik. Unë thashë se po bëj një kompromis për ta sjellë atë në vendin e katërt. Por nuk mund ta bëj atë prioritetin e parë, sepse qytetarëve nuk u pëlqen”, tha Kurti