4.5 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Sherifi kërkon të merren seriozisht postimet e Grenellit kundër Kurtit: Ai është politikan me shumë kontakte në gjithë botën

Rekomandime

Kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka kërkuar që të merren seriozisht postimet e ish të dërguarit të posaçëm të ish-presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

- Advertisement -

Ky i fundit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, doli me disa postime kundër Albin Kurtit duke e quajtur atë anti-amerikan, transmeton Indeksonline.

Sherifi me anë të një postimi të gjatë u shprehë se ndikimi i Grenellit në botë tejkalon kufijtë e ndikimit të një amerikani të zakonshëm.

“Kushdo që beson që tweet-et e tij nuk kanë kurfar ndikimi sepse ai tash nuk është më në pushtet gabon rëndë. Grenell është politikan me shumë kontakte në gjithë botën”, tha ndër të tjera në postimin e tij Bilall Sherifi.

- Advertisement -

Postimi i tij i plotë pa ndërhyrje:

Ndikimi i Richard Grenellit tejkalon kufinjtë e ndikimit të një “qytetari” të zakonshëm amerikan!

- Advertisement -

Nëpërmjet dy qëndrimeve të publikuara në rrjetin social Twitter, ish i ngarkuari i posaçëm i SHBA-ve për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë alarmon për dy qëndrime të Vetëvendosjes, e cila ka fituar besimin e qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit që të udhëheqë me institucionet e shtetit të Kosovës.

Në Tweetin e parë, të datës 3 mars 2021, të cilën Richard Grenell ia drejton z. Jake Sullivan, Këshilltarit për Siguri Kombëtare të presidentit të SHBA-ve, pohon se “Albin Kurti dhe partia e tij besojnë që Izraeli është ndërtuar duke kryer krime dhe pohojnë që SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur këtë krim. Këto janë thënie shumë të rrezikshme nga një aleat i SHBA-ve”.

Në mbështetje të pohimeve të tilla, Richard Grenell i ka bashkëngjitur një kopje të një pjese të shkrimit të titulluar “Vetëvendosje për Palestinën” të Boiken Abazit, njërit nga figurat më të rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën thuhet në mënyrë të qartë se: kemi të bëjmë me një krim kundër njerëzimit, siç është pushtimi, spastrimi etnik dhe kolonizimi i palestinezëve nga izraelitët. Shteti Izraelit është ngritur mbi këtë krim me mbështetjen e drejtpërdrejtë ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe të plot shteteve të tjera Perëndimore.

T’i japësh vetes të drejtë të akuzosh “SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe plot shtete të tjera perëndimore” dhe ta thjeshtëzosh këtë çështje duke e cilësuar se “në njërën anë ndodhet pushtuesi që ka në dispozicion një prej forcave ushtarake më të fuqishme në botë”, pra Izraeli, dhe “në anën tjetër ndodhet populli i pushtuar i Palestinës, cili është përpjekur t’i rezistojë këtij pushtimi me të gjitha metodat e mundshme, në demonstrata, bojkote dhe rezistencë të armatosur” është jo vetëm shtrembërim i historisë, por tejet i dëmshëm për interesat tona kombëtare.

Në tweetin e dytë të datës 4 mars, Richard Grenell kërkon nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden dhe nga administrata e tij që të dënojë deklaratat e Albin Kurtit lidhur me bashkimin kombëtar, duke e cilësuar si përpjekje për të zhbërë shtetësinë e Kosovës.

Sado legjitime që të jetë, hapja si çështje diskutimi të aspiratës shekullore të shqiptarëve për të jetuar në një shtet të vetëm nga njeriu që pritet të jetë kryeministër i Kosovës është papërgjegjësi e madhe politike, sidomos duke pasur parasysh kontekstin politik aktual të raportit të forcave në kuadër të institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare.

Është papërgjegjësi e madhe politike sepse për të gjithë është e ditur se çështja e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur jo vetëm që ka ngecur viteve të fundit, por fatkeqësisht kemi pasur tërheqje të njohjeve edhe nga shtetet që paraprakisht kishin pranuar pavarësinë e shtetit tonë.

Të shtrosh çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë nga pozita e kryeministrit në ardhje do të thotë të shtrosh çështjen e zhbërjes së shtetit të Kosovës! Dhe, pa marrë parasysh për motivet diametralisht të kundërta me përpjekjen e Serbisë dhe aleatëve të saj, shtrimi i temave të tilla në kontekstin aktual përputhet me strategjinë që synon zhvlerësimin e angazhimeve për ta forcuar subjektivitetin e shtetësisë sonë.

Përballë përpjekjeve të jashtme dhe të brendshme për të zhbërë shtetësinë e Kosovës, nuk mund të priten njohje të reja nga shtetet që nuk pranojnë pavarësinë e Kosovës. Përkundrazi, kjo qasje mund të dekurajojë edhe mbështetësit tanë, ndërsa kërkesat për njohje që eventualisht mund t’u bëhen shteteve që nuk na kanë njohur pavarësinë, e humbin arsyen logjike, sepse e shndërron në absurd njohjen e pavarësisë së një shteti udhëheqësit e të cilit deklarohen hapur që kanë për qëllim humbjen e subjektivitetit të shtetit që e udhëheqin!

Për fund, disa fjalë mbi qasjen ndaj deklarimeve të Richard Grenellit. Tweet-et e Grenellit nuk guxojmë t‘i trajtojmë sikur tweets të një “qytetari” të zakonshëm amerikan, siç rëndom trajtohen nga një numër i madh i akterëve të skenës publike!

E kanë shumë gabim të gjithë ata që mendojnë se publikimet e Richard Grenell në Twitter kufizohen vetëm në informimin e Këshilltarit për Siguri Kombëtare të SHBA-ve, z. Jake Sulivan. E them me bindje të plotë se e kanë tërësisht gabim. Zoti Grenell ka mbi gjysmë milioni ndjekës në rrjetin social Twiter, në mesin e të cilëve shumë nga ta janë njerëz me influencë në qarqet politike, diplomatike, mediatike, ekonomike dhe financiare të shteteve të ndryshme të botës.

Kushdo që beson që tweet-et e tij nuk kanë kurfar ndikimi sepse ai tash nuk është më në pushtet gabon rëndë. Grenell është politikan me shumë kontakte në gjithë botën. Është në interesin tonë që ato të shfrytëzohen në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe jo për të kundërtën. Ata që nuk e marrin seriozisht ndikimin e tij ose janë injorant në politikë ose kanë për synim dëmtimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës. Prandaj, duhet hequr dorë nga deklarata të tilla të papërgjegjshme sepse ato mund të sjellin pasoja të mëdha për shtetin e Kosovës.

Albin Kurti dhe bartësit e institucioneve tona shtetërore duhet të jenë tepër të kujdesshëm në hapjen e temave që mund të kthehen në dëm të pavarësisë së Kosovës. Pa marrë parasysh qëndrimet politike, nuk është në interes të askujt që bartësit e institucioneve të Kosovës të vazhdojnë me këtë mënyrë veprimi, sepse dëmet mund të jenë shumë të mëdha dhe të pa riparueshme për ardhmërinë e vendit tonë!

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit