Armend Mehaj ka qenë emri më i befasishëm në kabinetin e qeverisë “Kurti 2”.
Por, kush është në të vërtetë Armend Mehaj?
Mehaj është nga Isniqi i Deçanit. Ai ka shumë vjet që jeton me familjen e tij në Norvegji.
Mehaj është 40-vjeçar, i martuar dhe baba i tre fëmijëve.
Duke ëndërruar jetën ushatarake, Armendi me zell e përkushtim nisi këtë jetë në ushtrinë norvegjeze. Në moshën 22-vjeçare, Mehaj iu bashkua forcave të armatosura norvegjeze, shkruan Indeksonline.
Duke qenë një nga ushtarakët më të zot, avancimet dhe gradimet për të nisen menjëherë si ushtar i shquar.
Përvoja e tij në misionet paqëruajtëse në Kosovë, Irak, Afganistan, Çad e Afrikë Qëndrore e bën atë më të kalitur për karrierën e tij.
Në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, Kapiten Mehaj ishte dekoruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH-së, Gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, me medaljen “Për shërbime të merituara në detyrat me përgjegjësi të lartë, si edhe në kontributin e veçantë të dhënë në përmbushje me sukses të misionit paqeruajtës të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në Çad”.
“Unë jam nga Kosova dhe dashurinë për vendlindjen, për Shqipërinë dhe kombin shqiptar e kam të shenjtë. Unë i përulem me shpirt e zemër flamurit kombëtar”, ka qenë një nga deklaratat e rralla të Mehaj.