7.1 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Qeveria pa plan për kompensim pas mbylljes

Rekomandime

Qëndrim Dibrani, pronar i lokalit “Snooks” në Prishtinë, nga dita e mërkurë do t’ia vë drynin biznesit të tij, kurse disa nga punëtorët do të largohen dhe nuk do të paguhen. Kjo mbyllje, pason vendimin e ditës së hënë të Qeverisë së Kosovës, ku u miratuan masat e reja, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit.

- Advertisement -

Sipas këtyre masave, nga data 7 deri në 18 prill, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre. Këto biznese do të lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi”, apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.

Sipas këtij vendimi, po ashtu do t’u ndalohet veprimtaria qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë.

Dibrani, i cili shfrytëzon me qira lokalin prej 74 metrash katrorë, shprehet se nuk ka llogari të punojë vetëm me shërbimin “merre me vete” sepse shpenzimet janë jashtëzakonisht të mëdha. Ai madje thekson se është duke menduar që të mos e hapë lokalin derisa të përfundojë pandemia.

- Advertisement -

“Qe një vit e gjysmë nuk ka rehati në biznes. Por, me masat e reja që do fillojnë të zbatohen nga dita e nesërme (e mërkurë, 7 prill), unë kam vendosur që të mos e hap më fare biznesin derisa të përfundojë pandemia. Më mirë të paguhet vetëm qiraja e lokalit sesa shpenzimet tjera”, thekson Dibrani.

Në restorantin “Snooks” punojnë shtatë punëtorë. Dibrani tregon se disa nga ta tashmë janë duke u interesuar që të gjejnë punë diku tjetër.

- Advertisement -

Vranica: Masat e reja do ta thellojnë krizën

Përfaqësues të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, ndërkaq janë të shqetësuar me faktin se masat për mbyllje janë ndërmarrë pa pasur një plan konkret për ndihmë financiare.

Ardian Vranica, nga kjo shoqatë, tregon se gjatë takimit që kanë pasur të shtunën me përfaqësuesit e qeverisë, u është premtuar se do të subvencionohet gjysma e vlerës së pagës së punëtorëve dhe 50 për qind të shumës së qirave, por siç thotë ai, nuk është përmendur ndonjë vlerë e caktuar.

Vranica thekson se sektori i gastronomisë ende nuk ka arritur t’i rikuperojë humbjet financiare të shkaktuara nga masat e marra në muajin mars të vitit të kaluar, kurse masat e reja, thotë ai, do ta thellojnë edhe më tej krizën.

“Kjo është shqetësuese sepse mbyllja po ndodh, edhe gjatë mbylljes po pritet të bëhet vlerësimi. Njëherë shkaktohet pasoja, pastaj po tentohet të merren me kompensimin. Nuk kemi pasur një lloj korrespondimi të qartë, sa janë kapacitetet buxhetore, sa punëtorë kanë mundësi të subvencionojnë, kur e dimë se gastronomia është punëdhënësi numër tre në vend sa i përket numrit të të punësuarve”, tha Vranica.

Bektashi: Qeveria duhet të ketë plan për subvencionim apo financim

Edhe Mejdi Bektashi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, konsideron se vendimi për masat kufizuese është i shpejtuar. Ai thotë se Qeveria e Kosovës në radhë të parë është dashur të paraqesë një program të rimëkëmbjes ekonomike për dedikimin e mjeteve për sektorin e gastronomisë dhe bizneseve tjera të ndërlidhura me këtë sektor.

“Marrja e një vendimi pa plan konkret për kompensim të dëmeve edhe më shumë do ta rëndojë situatën ekonomike të bizneseve, që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekte preken nga këto masa. Qeveria duhet sa më parë ta bëjë projektin konkret që të financojë apo subvencionojë këta sektorë që janë në një situatë të vështirë ekonomike dhe financiare, por do të ndikojë edhe në rritjen e lartë të papunësisë, që edhe ashtu është shumë e lartë”, thotë Bektashi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës se hënë pas mbledhjes së qeverisë, ku ka prezantuar masat për parandalimin e coronavirusit, nuk ka paraqitur ndonjë plan për financim, por ka thënë se shumë shpejtë ministritë përkatëse do të paraqesin planin e tyre.

“Pa dyshim që do të kemi edhe planin tonë të punës, për të dalë nga kjo krizë edhe më e thellë ekonomike, për shkak të pandemisë COVID-19. Dhe shumë shpejtë ministrat e linjës, jo vetëm Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, por edhe Ministria Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit do të vijnë me planin se si kriza shëndetësore të mos reflektohet në thellim të krizës ekonomike”, ka thënë Kurti.

Radio Evropa e Lirë, ka pyetur në zyrat për informim të këtyre ministrive se a kanë ndonjë plan konkret, por deri në momentin e publikimit të tekstit, asnjëra nga to nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Komuniteti i biznesit kundërshton masat e reja

Mbyllja është kundërshtuar edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK). Kryetari i kësaj Ode, Berat Rukiqi, ka thënë se “nëse nuk ka mbështetje financiare për bizneset dhe plan të qartë se çka do të bëhet pas 11 ditësh të kufizimeve, bizneset do të rrisin rezistencën në zbatimin e çdo mase anti-COVID. Pa vaksinim masiv, nuk ka kthim në normalitet e as rimëkëmbje ekonomik” , ka shkruar Rukiqi në Facebook.

Masa joracionale dhe të dëmshme për ekonominë e Kosovës, i ka konsideruar masat e reja Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB).

Ndërkaq, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që asnjë kufizim apo mbyllje totale të bizneseve, të mos bëhet pa përkrahje paraprake financiare.

Gastronomia konsiderohet sektori më i dëmtuar nga vendimet e qeverisë për masa izoluese apo kufizuese, që nga paraqitja e rasteve të para më coronavirus në Kosovë, në mars të vitit 2020. Për këtë qëllim, qeveria e kaluar e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, nga Programi për rimëkëmbje ekonomike, në muajin janar të këtij viti ka ndarë tre milionë euro, shumë kjo që ende nuk ka filluar të shpërndahet.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, në territorin e Kosovës janë të regjistruara rreth 20 mijë biznese në sektorin e gastronomisë.

Në arsyetimin e Qeverisë së Kosovës për masat e reja thuhet se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka testuar me 147 mostra pozitive me coronavirus, për detektimin të variantit britanik të coronavirusit dhe atij të Afrikës Jugore.

Prandaj kjo situatë, ku varianti britanik është më së shumti i përhapur, sipas qeverisë kërkon që të minimizohet sa më shumë ekspozimi ndaj COVID-19 dhe të ngadalësohet përhapja e tij, në mënyrë që kapacitetet e shërbimit spitalor të jenë të përballueshme dhe të menaxhueshme.

Të martën, më 6 prill, Kosova regjistroi tetë viktima dhe 489 raste të reja. Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve me coronavirus në Kosovë arrin në 94.656, i viktimave në 1.934 dhe i të shëruarve në 78.702. /rel/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit