Masat e reja pandemike kanë vënë në dilemë besimtarët islamë nëse do të ketë kufizime të faljes së Xhumasë gjatë të premteve.
Dilema bëhet më e madhe gjatë muajit të Ramazanit fillon me 13 prill të këtij muaji e kur praktikohet falja e çdo ditshme e taravive.
Për të hequr dilemat, për Indeksonline ka folur imami kosovar, Labinot Maliqi.
Ai ka thënë se prezenca në xhami nuk është e ndaluar, por që duhet të bëhet duke respektuar masat e pandemisë.
“Është e sigurt se nuk do të ketë mbyllje të xhamive, as para apo gjatë Ramazanit. Të gjitha kohët e namazit do të falen si zakonisht në kohën e tyre, duke përfshirë edhe namazin e teravive gjatë muajit të bekuar të Ramazanit. I lus të gjithë besimtarët që të respektojnë masat e marra nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHP-ja.
Prezenca në xhami duhet të bëhet me vendosje të maskës, dezinfektim të duarve dhe mbajtje të distancës fizike. Hapësirat brenda xhamive duhet të pranojnë numër minimal të besimtarëve, derisa mund të shfrytëzohet edhe hapësira e jashtme e xhamisë/oborri, për faljen e xhumasë dhe namazit të teravive.
Është poashtu kërkesë e Bashkësisë Islame që ligjërata (hutbeja) e namazit të xhumasë të jetë e gjatë jo më shumë se 7 minuta, si dhe masat e reja AntiCovid të marra nga Qeveria e Kosovës janë mbështetur në plotni nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe si të tilla duhet t’iu përmbahemi dhe t’i respektojmë të gjithë pa dallim” ka thënë imami Maliqi për Indeksonline.