Kadetja e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), Ilirianë Bunjaku u shpërblye me çmimin Shpata Ndërkombëtare e cila i jepet kadetit me performancën më të lartë nga Akademia Ushtarake e Mbretërisë së Bashkuar.
Ish-Ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka shpërndarë një fotografi nga momenti kur Bunjaku nderohet me çmimin.
“KRENARI, EMOCION, INSPIRIM të shohim kadeten e FSK-së Ilirianë Bunjaku tek i prezantohet shpërblimi i nderit për demonstrim të qëndrueshmërisë fizike, guxim, dhe aftësi të vërteta lidershipi”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në Facebook.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
KRENARI, EMOCION, INSPIRIM të shohim kadeten e FSK-së Ilirianë Bunjaku tek i prezantohet shpërblimi i nderit për demonstrim të qëndrueshmërisë fizike, guxim, dhe aftësi të vërteta lidershipi
Në Paradën e Sovranit, live nga Akademia Ushtarake Mbretërore SANDHURST në Mbretëri të Bashkuar, Iliriana jonë lartësoi shtetin e saj, kur u ftua emri i saj dhe u shqiptua emri i Republikës së Kosovës për të pranuar shpërblimin e nderit ‘Shpata Ndërkombëtare’ nga Gjenerali britanik Sir Nicholas Carter.
Ky moment dëshmon edhe njëherë kapacitetin profesional e ushtarak të Ushtrisë së Kosovës. Mirënjohje të thellë Mbretërisë së Bashkuar, e cila me Ilirianën e Arditin këtë vit, ka mundësuar shkollimin e gjithsej 23 kadetëve të FSK-së deri më sot.
Urime dhe faleminderit Ilirianë.
Mirë u kthefsh në Kosovë e në FSK!