“lncidenti” i djeshëm në seancën virtuale të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku Rusia kërkoi që ministrja Donika Gërvalla ta heqë flamurin e Kosovës nga prapavija ka bërë bujë në mediat ndërkombëtare.
Agjencia prestigjioze amerikane e lajmeve Associated Press ka raportuar për ngjarjen e djeshme në Këshill të Sigurimit duke e titulluar lajmin “Rusia provon ta heqë flamurin e Kosovës në OKB, por pa sukses”.
Të njëjtin lajm e ka ripublikuar edhe presigjiozja amerikane ‘The Washington Post’ dhe media franceze ‘France 24’.
Përfaqësuesi i Rusisë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka kërkuar nga udhëheqësi i seancës që Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ta heqë flamurin e Kosovës në prapavijë ose të ndryshojë ambientin.
“Ne nuk jemi kundër përfaqësuesve të Kosovës, megjithatë dua të ndaj faktin që zonja Donika Gërvalla është ulur para flamurit të Kosovës. Kosova nuk është e njohur si shtet por vetëm si territor, prandaj kërkojmë që për të vazhduar prezantimin ajo ose të ndryshojë pamjen prapa ose të heq flamurin në mënyrë që të vazhdojmë tutje”, tha përfaqësuesi rus.
Këshilli i Sigurimit vendosi që të vazhdojë punimet e seancës virtuale për Kosovën përkundër kërkesës së Rusisë që Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla ta heqë flamurin e Kosovës nga prapavija.
Pas fillimit të seancës, kryediplomatja Donika Gërvalla nuk ka ndryshuar prapavijën dhe flamuri i Kosovës po qëndron sërish prapa saj në ambientin ku ajo po qëndron.