1.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Anulohet projekti turk për “Muzeun e Hamamit”

Rekomandime

Komisioni i Ministrisë së Kulturës për Shqyrtimin e Ankesave, ka anuluar projektin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), për restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë, i cili ishte miratuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM).

- Advertisement -

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Qerim Ondozi, këshilltar për media i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

“Po, ky projekt është anuluar”, ka deklaruar Ondozi të martën.

Ai ka shtuar se vendimin për anulimin e këtij projekti e ka marrë Komisioni i Ministrisë së Kulturës për Shqyrtimin e Ankesave, pas pranimit të ankesave të parashtruara nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore – MKRS, dhe nga disa profesorë të Universitetit “Hasan Prishtina”.

- Advertisement -

Ondozi ka thënë se Komisioni i MKRS-së ka vërejtur se shqyrtimi dhe miratimi i projektit nga ana e IKMM-së, “nuk është zhvilluar duke u bazuar në standardet profesionale dhe teknike, të parapara në bazë të legjislacionit në fuqi që e rregullon fushën e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës”.

“Projekti ka mangësi, në veçanti në argumentim të dy elementeve të rëndësishme: atë të hulumtimit paraprak të historikut të ndërtesës, gjendjes burimore, si dhe atë të arsyetimit të zgjidhjes së propozimeve konservuese-restauruese, ku në mungesë të argumentimit të saktë të pjesës hulumtuese, edhe ofrimi i zgjidhjes për restaurim/konservim mbetet i mbështetur në hipoteza, e cila përpos metodës së krahasimit, është dashur të ndërtohet edhe në bazë të dhënave të shkruara për vetë ndërtesën e Hamamit të Madh të Prishtinës, fotografive të mëparshme, hartave, skicave, raporteve, e dokumenteve tjera arkivore”, ka thënë në një përgjigje me shkrim Ondozi për Radion Evropa e Lirë.

- Advertisement -

Ai ka shtuar se në mungesë të dëshmive të gjendjes burimore edhe pas hulumtimit, “projekti i konservimit dhe qasja e restaurimit apo kthimit të monumentit në një periudhe të caktuar kohore, duke i zhbërë elementet tjera që janë shtresëzuar brenda pesë shekujsh, si dhe duke vendosur elemente të reja, nuk mund të hartohet mbështetur vetëm në hipoteza.”

Drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM), Ismet Hajrullahu thotë se vendimin për anulimin e projektit për restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë, e ka marrë ditën e hënë nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas tij, një kopje e vendimit të IKMM-së për aprovimin e projektit te restaurimit te Hamamit të Madh në Prishtinë, më 23 qershor të vitit 2020, u është dërguar kabinetit të ministrit të KRS-së, Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, Departamentit të Trashëgimisë Kulturore, Arkivit të MKRS-së, Arkivit të IKMM-së dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prishtinë.

Por, siç thotë ai, deri më tash, nga këto institucione nuk ka pasur reagime ndaj vendimit të IKMM-së.

“Lidhur me anulimin vendimit të IKMM-së, nuk mund të bëj interpretime ligjore/komentime të vendimit të Komisionit të shkallës së dytë në MKRS, për faktin se mjerisht, më duhet të them se IKMM-ja funksionon pa zyrtar ligjor për një periudhë të gjatë kohore, përkundër kërkesave te vazhdueshme që kam bërë në MKRS, për plotësimin e pozitës zyrtarit ligjor”, ka theksuar Hajrullahu në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Hamami i Madh i Prishtinës pritej që të hynte në një fazë të restaurimit dhe shndërrimit në muze, dhe ishte paraparë që për këtë projekt të investoheshin rreth 1 milion euro.

Më shumë se gjysma e projektit ishte planifikuar të financohej nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) si dhe punimet ishte paraparë që të kryheshin nga një kompani që do të përzgjidhej nga Qeveria turke.

Projekti që ishte prezantuar në ueb-faqen e Komunës së Prishtinës, pati nxitur reagime të shumta për shkak se Hamamit të Madh, i cili është objekt i trashëgimisë kulturore, i ishte ndërruar emri në “Fatih Hamami Muzesi”.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) pati njoftuar më 3 mars të vitit 2021, se ka refuzuar të trajtojë lëndën për Hamamin e Madh të Prishtinës, pikërisht për shkak të emërtimit.

Shqetësimet e ngritura për projektin për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës kanë shtyrë Inspektoratin për Trashëgimi Kulturore që të ndërmarrë hapa drejt rishikimit të projektit.

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) pati hedhur poshtë akuzat e fshehjes së ndonjë qëllimi prapa ndihmës financiare për restaurimin e Hamamit të Madh të Prishtinës.

*Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka njoftuar redaksinë e REL-it më 14 prill, se projekti për restaurimin e Hamamit të Madh në Prishtinë, nuk është pezulluar, siç deklaruan më 13 prill zyrtarë të kësaj ministrie, por është anuluar.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit