Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë shpërbërjen e Bosnje e Hercegovinës, aneksimin e Republikës Serbe nga Serbia dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, siç po thuhet në një dokument që e publikuan mediat sllovene.
Pyetjes së mediumit slloven, 24UR rreth këtij dokumenti dhe përmbajtjes së tij iu përgjigj Ambasada e SHBA-së atje. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë partneritetin afatgjatë me Bosnje e Hercegovinën dhe se e mbështesin sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, i cili është i pranuar në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj qëllimit të përbashkët të një Bosnje e Herzegovine demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të prosperuar në rrugën drejt integrimit Euro-Atlantik”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Në përgjigje, ata gjithashtu theksuan se Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e fortë e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që kërkojnë anëtarësim në organizatat Euro-Atlantike. “Ne jemi të bindur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë në të gjithë rajonin”, thuhet në përgjigje.
Sipas mediumit slloven, Necenzurirano një dokument jozyrtar është dërguar nga kryeministri slloven Janez Jansha në Bruksel i cili flet për kufinj të ri të shteteve të ish-Jugosllavisë. Por, askush deri më tani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht që presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel e ka pranuar një dokument të tillë nga Sllovenia zyrtare.
Te pjesa e dokumentit jozyrtar ku flitet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë përmendet se në Kosovë 95% e popullatës dëshirojnë të bashkohen me Shqipërinë dhe se situatë e ngjashme është edhe në Shqipëri.
“1.) Bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë. “Në Kosovë, 95 përqind e popullsisë dëshiron të bashkohet me kombin vendas shqiptar të Shqipërisë. Situata është e ngjashme në Shqipëri. Kufiri midis Shqipërisë (një anëtar i NATO-s) dhe Kosovës është praktikisht inekzistent. Pjesa Serbe e Kosovës do të marrë status special – duke ndjekur shembullin e Tirolit të Jugut. Është një provincë autonome në Italinë veriore, ku shumica e popullsisë është gjermanishtfolëse”, thuhet në dokument.