Ambasada e Sllovakisë në Serbi ka thënë se është kundër njohjes diplomatike të Kosovës, në një prononcim për mediumin serb.
“Ju informojmë se qëndrimi i Sllovakisë në çështjen e pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar”, thuhet në komentin e ambasadës sllovake në Serbi për B92, përcjell Gazeta Express.
Ky reagim vjen pasi kryeministri Albin Kurti kërkoi nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Kosovë, Rastislav Kostilnik, që të bashkohet shteteve të tjera të BE’së në njohjen e Kosovës.
Kurti ka thënë se Sllovakia si vend anëtar i NATO-s dhe i BE-së të mbështesë dhe të shtyjë përpara anëtarësimin e Kosovës në aleancën veri-atlantike.
Deri më tani, Sllovakia është shprehur sistematikisht kundër njohjes së Kosovës.