7.4 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Kurti për zgjedhjet në Shqipëri: Me zemër unë kam qenë pran fushatës suaj

Rekomandime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar me mbështetjen për tre kandidatë për deputetë në Shqipëri të LVV-së.

- Advertisement -

Kurti u shprehë se do të kishte dashur të ishte më shpesh i pranishëm në këtë fushatë.

Ai u shprehë se me zemër ka qenë pranë fushatës së tre kandidatëve në Shqipëri.

Lëvizja Vetëvendosje kandidon me 3 kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit: Boiken Abazin, Iliaz Shehun dhe Kreshnik Merxhani.

- Advertisement -

Postimi i plotë i Kurtit:

Për Boikenin, Iliazin e Kreshnikun:

- Advertisement -

Të dashur Boiken, Iliaz e Kreshnik

Të dashur aktivistë të Lëvizjes që jeni mbledhur sot në Tiranë

Të dashura zonja e zotërinj që po na ndiqni nga rrjetet sociale Do të kisha dashur të isha më shpesh i pranishëm në këtë fushatë, për të ndihmuar bashkëpunëtorët e miqtë e mi, Boikenin, Iliazin e Kreshnikun, por gjendja e vështirë në të cilën e gjetëm shëndetësinë publike në Kosovë na ka imponuar që, nga njëra anë, të kemi një agjendë intensive punësh, e nga ana tjetër, të marrim masa për të mbrojtur jetët e qytetarëve.

Uroj që të gjithë ju të jeni mirë me shëndet, e ta kapërcejmë sa më shpejt këtë pandemi që po sfidon gjithë botën. Por, me zemër unë kam qenë pranë fushatës suaj e pranë jush, ju kam mbështetur dje e sot, dhe sigurisht do t’ju mbështes dhe nesër.

Ne na bën bashkë një ide e një projekt i cili as nuk nis e as nuk përfundon me ne. Është ideja kombëtare, e cila do të vazhdojë të bëjë bashkë shqiptarët e ndershëm e idealistë edhe kur ne të mos jemi më. Ju, Vetëvendosja në Shqipëri, edhe pse në këto zgjedhje keni dalë me tre kandidatë, keni bërë një fushatë shembullore, për disa arsye të cilat unë dëshiroj t’i përmend këtu.

Së pari, keni bërë një fushatë të kulturuar, pa nxitur sharje e urrejtje për anëtarët e partive të tjera, pa kërkuar armiqësi të stisur apo spektaklin e brutalitetit verbal. Keni bërë mirë që nuk keni rënë në grackën e ofendimeve.

Të gjitha partitë e tjera, edhe kur janë të vjetra, edhe kur nuk e dinë më se cili është misioni i tyre në shoqërinë tonë, edhe kur dëshirojnë të kontribuojnë me ide, program e moral në politikë, megjithatë janë pjesë e kombit tonë. Debati me to duhet të jetë argumentativ, i bazuar në kritikë objektive, e jo në sulme të ulëta. Kombi ynë, njerëzit tanë, e presin këtë standard prej nesh.

Dhe ju në Shqipëri, e keni arritur këtë. Të gjitha partitë e vjetra kanë brenda vetes shumë qytetarë, punëtorë, intelektualë, krijues, sipërmarrës të ndershëm. Ata jo vetëm që nuk janë armiqtë tanë, por janë bashkëpunëtorët tanë potencialë për zhvillimin që duam t’i sjellim vendit. Me sjelljen tonë korrekte do t’i ftojmë ata në radhët e Lëvizjes, e cila do të rritet në Shqipëri ashtu siç u rrit edhe në Kosovë. Një pjesë e madhe prej tyre, në të ardhmen, do të vijnë te ne, sepse do të gjejnë një organizim demokratik, të ndërtuar mbi parime e vlera, e jo një çerdhe thashethemesh, goditjesh të ulëta, bërrylash e ambiciesh të sëmura. Së dyti, e vlerësoj faktin se ju, edhe pse tre kandidatë, keni zhvilluar një fushatë të ndërtuar rreth një programi konkret.

u i keni renditur vlerat e parimet për të cilat do të angazhoheni nesër në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, por i keni treguar qytetarëve e votuesve tuaj edhe se cilat janë çështjet për të cilat ju do të kundërshtoni e nuk do të pranoni asnjë kompromis. Ju jeni zotuar se do të jeni kritikë e kundërshtarë të formulave të privatizimit të maskuar, siç janë Partneritetet Publiko Private (PPP), kundër marrëveshjeve që cënojnë interesin kombëtar, kundër kapjes së institucioneve prej partive apo prej krimit, kundër abuzimit me të drejtat e punëtorëve, si dhe kundër monopoleve e oligopoleve që kanë vënë lak në fytin e ekonomisë shqiptare. Në pak faqe program ju keni folur shumë ide e përmbajtje politike, si askush tjetër, si asnjëherë tjetër.

Nuk mund të ketë demokraci pa ballafaqim të ideve e kritikave. Pikërisht mungesa e ideve, që i ka bërë partitë njësoj në qasjen e tyre qeverisëse, shkakton pastaj fenomene të shëmtuara. Partitë të cilat nuk kanë qenë të afta të dallohen nga njëra-tjetra sa i përket programit apo qeverisjeve, kanë prodhuar ndarje të rrezikshme, si ajo jug-veri, për të betonuar elektoratet e tyre. Kjo është e papranueshme. E vetmja mënyrë e pranueshme për të bërë për vete votuesin, është shpallja e idesë dhe forcimi i organizatës. Nuk mund të rrezikohet kombi për të mbajtur në këmbë partinë, siç kanë bërë të tjerë.

Së treti, fushata juaj ka qenë një kontribut në rrafshin e afrimit mes Shqipërisë e Kosovës. Ju keni qenë dhjetra aktivistë nga Shqipëria, që keni ardhur në Kosovë për vite me radhë e na keni ndihmuar shumë neve. Tash me këtë fushatë sërish po na ndihmoni, sepse e hapët rrugën që edhe aktivistët nga Kosova të vijnë në Shqipëri e të angazhohen për çështje politike e qytetare.

Ne shqiptarët jemi një popullsi jo e madhe. Nëse punojmë bashkë e afrohemi, prapë nuk do të jemi rrezik për askënd, por nëse mbetemi të përçarë do të jemi gjithnjë rrezik i vetvetes. Krahinarizmat kanë vlerën e tyre kur vjen puna te folklori e respektimi i traditave e i dialekteve, mirëpo nëse duam të bëjmë një shtet që ndihmon ekonominë, forcon kulturën e arsimin, dhe e ndal braktisjen e atdheut tonë prej të rinjëve sot e fëmijëve tanë nesër, ne duhet t´i kapërcejmë ndasitë krahinore, nga Gjirokastra e Kreshnik Merxhanit e deri në Mitrovicë, nga Lezha e Iliaz Shehut e deri në Gjilan, nga Tirana e Boiken Abazit, e deri në Prishtinën tonë. Ne kemi fituar tre figura dinjitoze publike në këtë fushatë.

Tre ligjërues universitarë, të cilët kanë vendosur të hyjnë në politikë jo për pozitë apo për post, por si sakrificë, për çështje. Ju ftoj të votoni në Tiranë Boiken Abazin, specialist i shkencave politike dhe ekonomisë zhvillimore, anëtar i kryesisë së Lëvizjes, i cili ka qenë në pozita të larta këtu në Kosovë dhe na ka ndihmuar shumë sidomos në rrafshin ndërkombëtar. Për Boikenin e kam thënë edhe më parë, ai nuk shitet e nuk blihet. Por jo vetëm kaq, Boikeni e ka edhe një të mirë tjetër.

Ai nuk frikësohet përballë padrejtësive dhe nuk e ul kokën. Me Boiken Abazin VETËVENDOSJE! në Shqipëri e ka një shtyllë të fortë, një garanci për qëndrueshmëri në të ardhmen, por edhe një zotim për përparimin e programit të bashkimit kombëtar dhe të ideve socialdemokrate. Ju ftoj të votoni në Lezhë Iliaz Shehun, studiues e ligjërues i filozofisë, i cili është duke përfunduar doktoraturën e vet në Universitetin e Parisit, në Paris 8. Iliazi është një djalë me qëndrim të drejtë e të thelluar, edhe pse i ri, ai është i matur e i pjekur.

Me të rinj si Iliazi duhet ta shohim të ardhmen e politikës shqiptare, e jo me lajle-lulet e spektaklit sipërfaqësor. Si ish-student, Iliazi do të çojë përpara kërkesat e studentëve që prodhuan në Shqipëri një lëvizje të fuqishme para pak vitesh, si profesor ai do të këmbëngulë për forcimin e universitetit, dhe do të jetë një aleat i politikave që favorizojnë rininë, edhe në punësim apo në sferat të tjera të jetës. Ju ftoj të votoni në Gjirokastër Kreshnik Merxhanin.

Kreshniku është një ndër arkitektët e specialistët e trashëgimisë kulturore më të përgatitur që unë njoh. Ligjërues universitar, por edhe aktivist për ruajtjen e trashëgimisë. Specialistët si Kreshniku politika do të duhej ta kishte për nder që t’i angazhonte, sepse janë përfaqësuesit më të mirë të punës që bëjnë. Por fatkeqësisht në të shkuarën politika pati zakonin e keq që të zgjidhte të paaftët për të përfaqësuar punëtorët. Kjo gjë po merr fund me Lëvizjen, sepse ne njerëzit si Kreshniku jo vetëm që i marrim në gjirin tonë, por edhe i vendosim në rresht të parë.

Ne jemi krenarë me Kreshnikun, e vlerësojmë së pari vetë, e pastaj ia paraqesim atë qytetarëve, dhe u kërkojmë ta votojnë. Miq të dashur. Si kryeministër i Kosovës, unë do të respektoj maksimalisht dhe do të bashkëpunoj me cilëndo qeveri që populli i Shqipërisë do ta zgjedhë në zgjedhjet e 25 prillit.

Por si aktivist dhe kryetar i VETËVENDOSJE!-s, ju do të jeni vazhdimisht bashkëpunëtorët e mi më të ngushtë, për të përhapur mesazhin tonë politik. Sot jeni tre kandidatë, por pas jush qëndrojmë si mbështetës të gjithë ne, që e duam VETËVENDOSJE!-n, në Kosovë e Shqipëri. Dëshiroj t’i ftoj gjithë qytetarët e Shqipërisë me të drejtë vote, që të votojnë për Boiken Abazin në Qarkun e Tiranës, për Iliaz Shehun në Qarkun e Lezhës e për Kreshnik Merxhanin në Qarkun e Gjirokastrës.

E sidomos, i ftoj shtetasit e Kosovës që kanë edhe nënshtetësi të Republikës së Shqipërisë, që në ditën e zgjedhjeve, pra të dielën e 25 prillit, të nisen drejt Tiranës, Lezhës dhe Gjirokastrës, drejt këtyre qyteteve që të votojnë Boikenin, Iliazin dhe Kreshnikun. Me këta të tre, ia hapim rrugën VETËVENDOSJE!-s edhe në Shqipëri. Ju falemnderit e suksese.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit