Njohësi i zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, thotë se Kosova duhet ta kushtëzojë pjesëmarrjen në negociatat e Brukselit me ndryshimin e pozicionit të Francës sa u përket liberalizimit të vizave dhe procesit të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Weber thotë se Parisi duhet ta ndjekë shembullin e Gjermanisë sa i përket njohjes reciproke si pjesë të marrëveshjes finale, derisa thotë se Macroni duhet të ndalojë së keqpërdoruri punën e vizave për kosovarët për kalkulime politike të brendshme.
Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të raporteve”, kjo është përgjigjja përgjithësuese që jepet nga Brukseli dhe qendrat e tjera të Evropës sa herë që ngrihet pyetja për përmbajtjen e marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Por një gjë e tillë s’mund të thuhet më për Gjermaninë e kancelares Angela Merkel, meqë shefi i diplomacisë gjermane, Heiko Maas, për herë të parë publikisht gjatë vizitës në Prishtinë ka thënë se pjesë e zgjidhjes duhet të jetë edhe njohja reciproke.
“Natyrisht se njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes, përndryshe nuk do të realizohet. Përtej kësaj, nga dy anët është normale në dialogët për normalizim të ketë një kompromis”, ka deklaruar Maas pas takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin.
Analisti gjerman dhe anëtari i DPC-së, Bodo Weber, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se ky ka qenë qëndrimi i Gjermanisë ndër vite, megjithatë potencon se është shumë mirë që tashmë i njëjti është bërë publik.
Ai tutje ka thënë se diskutimet për shkëmbime territoresh e kanë përforcuar qëndrimin gjerman se duhet qartësi për çështjen e statusit të Kosovës dhe se ndonjë modalitet i njohjes së reduktuar nuk do të ishte zgjidhje.
“Ky ka qenë qëndrimi i Gjermanisë për vite me radhë, dhe përpjekja e Thaçit dhe Vuçiqit për shkëmbim territoresh ka ndihmuar në forcimin e bindjes Gjermane se ka nevojë për qartësim të çështjes së statusit, që nuk do të sigurohej nga ndonjë formë e reduktuar e njohjes, për shembull duke e ndjekur modelin e traktatit gjermanogjerman. Por është shumë mirë që ky pozicion tashmë është publik”, ka thënë Weber.
Eksperti gjerman thotë se shembullin e Gjermanisë duhet ta ndjekë edhe Franca e Emmanuel Macron-it.
“Dhe përfundimisht, Parisi, presidenti Macron duhet ta ndjekin këtë drejtim. Presidenti Macron dëshiron që Franca të luajë një rol udhëheqës në negociata, përderisa në të njëjtën kohë ai ka treguar një mungesë të përkushtimit ndaj vlerave dhe parimeve evropiane, më saktësisht me përkrahjen e tij për shkëmbim territoresh më 2018 e 2019. Na duhet një rivendosje e negociatave dhe deklarata e Ministrit Maas ishte një hap i rëndësishëm në atë drejtim”, ka shtuar tutje njohësi i zhvillimeve të Ballkanit Perëndimor.
Weber tutje thotë se Kosova duhet të kushtëzojë pjesëmarrjen në dialogun me Serbinë me ndryshimin e pozicionit të Francës për liberalizimin e vizave dhe për procesin e zgjerimit për Ballkanin Perëndimor.
Eksperti gjerman thotë se Macroni duhet të ndalojë së keqpërdoruri çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën për kalkulime të brendshme politike që ndërlidhen me zgjedhejt atje e të cilat do të mbahen në vitin 2022.
“ShBA-ja i është kthyer bashkëpunimit trans-atlantik në dialog, duke e pranuar rolin udhëheqës të BE-së dhe duke u kthyer në parime, si këmbëngulja ndaj Beogradit që njohja e Kosovës duhet të jetë pjesë integrale e një marrëveshjeje përfundimtare. A do të kemi marrëveshje së shpejti? Nuk jam i sigurt më. Do të doja që të shoh një deklaratë të përbashkët nga Presidenti Biden dhe Kancelarja Merkel dhe mundësisht nga Presidenti Macron – kjo do të ishte një rivendosje e vërtetë e negociatave. Por ne gjithashtu duhet të shohim një ndryshim në qasjen e Parisit ndaj Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimit të BE-së. Mund të ketë një marrëveshje përfundimtare vetëm atëherë kur Parisi të ndalojë së minuari perspektivën për anëtarësim në BE për shtetet e Ballkanit Perëndimor, sepse pa atë perspektivë, BE-ja nuk mund të jetë negociatore kredibile. Dhe Macroni duhet të ndalojë se keqpërdoruri çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën për qëllime të brendshme populiste – shtyrja e mëtejme e dritës së gjelbër për liberalizim vizash deri pas zgjedhjeve presienciale në Francë më 2022 është e papranueshme dhe Prishtina duhet ta kushtëzojë pjesëmarrjen në negociata me një ndryshim të qasjes në Paris.”, ka thënë Weber i pyetur nëse pret ndonjë zgjidhje finale mes Kosovës dhe Serbisë, tashmë kur administrata në ShBA drejtohet nga Joe Biden.