Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett ka bërë të ditur se ka pasur diskutim të gjerë me kryeministrin Albin Kurti dhe diplomatin amerikan Matthew Palmer lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Ai përmes një postimi në Twitter ka shtuar se dialogu është thelbësor për integrimin Euro-Atlantik të Kosovës.
“Procesi i dialogut i udhëhequr nga BE mbetet thelbësor për suksesin ekonomik të Kosovës dhe integrimin Euro-Atlantik”, ka thënë ai.
Ky diskutim është bërë një ditë para se kryeministri Albin Kurti të niset për Bruksel për takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian.
Ai do të takohet me presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Gjithashtu do të takohet edhe me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell.
Takime të hënën në Bruksel ka zhvilluar edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
Borrell pas takimit me Vuçiqin ka paralajmëruar se një takim Prishtinë-Beograd mund të realizohet më 11 maj. Porse për një takim të tillë Qeveria e Kosovës ka thënë të mos jetë e informuar. Madje është lënë e hapur edhe mundësia që pala kosovare të mos marrë pjesë, pasi sipas tyre, takimi nuk është koordinuar me të dyja palët.
“Datat, vendet dhe agjendat e takimeve kanë kuptim dhe zbatim kur merremi vesh, jo kur imponohen njëanshëm”, ka shkruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.