Alexander Popov nga “Center For Regaionalism” i ka thënë “Danas”-it serb se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mund të sanksionohet përsëri nga ndërkombëtarët nëse këmbëngul në atë se dialogu s’do të jetë prioritet kryesor dhe nëse s’do të të negociojë me Serbinë.
Popov thotë se “Qeveria Kurti I” kishte rënë pikërisht për shkak se kreu i VV’së kishte refuzuar kërkesat e komunitetit ndërkombëtar sa i përket negociatave me Serbinë.
“Ne e shohim që pritjet e komunitetit ndërkombëtar që Kurti do të vendosë negociatat në vendin e parë apo të dytë të prioriteteve janë shkelur, prandaj e kemi parë një reagim të tillë të von Cramon. Nëse Kurti mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij se nuk do të negociojë, sanksione serioze mund të pasojnë për të, sepse ka ndodhur një herë që Qeveria e tij të rrezohet për arsye se Qeveria e tij nuk pranoi kërkesat e komunitetit ndërkombëtar”,ka thënë Popov, transmeton Express.
Alexander Popov tutje ka folur edhe për “non-paper” që janë publikuar e në të cilat flitet për dialogun Kosovë-Serbi dhe lëvizjen e kufijve në Ballkanin Perëndimor.
Ai thotë se këto letra do të bëjnë që Vuçiq të hezitojë vazhdimin e negociatave serioze, ndërkohë thotë se ato Kurtit i ndihmojnë në qasjen se negociatat nuk janë prioritet dhe se synon bashkimin me Shqipërinë.
Lidhur me votimin e Kurtit në Shqipëri, për Danas ka folur Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike. Ai thotë se votimi i Kurit në vete nuk duhet të jetë problem për evropianët (duke përmendur reagimin e Von Cramon), por thotë se problemi është se si burshtetasit abuzojnë me përkatësinë e tyre etnike.
“Problemi për BE’në nuk duhet të jetë se ai votoi, por që disa shtete japin shtetësinë ekskluzivisht bazuar në vija etnike. Pra problem për Violën nuk është se ka votuar Kurti, por se ai ka shtetësinë e Shqipërisë”, ka thënë Janjiq për Danas.
Janjiq thotë se shtetasit e Kosovës duhet të mendojnë se kush janë njerëzit që i udhëheqin ata dhe nëse kanë shtete rezervë.
Votimin e Kurtit në Shqipëri e ka kritikuar ashpër raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von-Cramon. Ajo ka deklaruar se nuk e kupton se pse kryeministri i Kosovës e ka bërë një veprim të tillë.
Pa reaguar s’ka qëndruar as Richard Grenell. Ish-emisari amerikan i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të jenë dyshues mbi motivet e Albin Kurtit.
Ndërkohë sa i përket dialogut, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka një intensifikim deklaratash se procesi i negociatave duhet të trajtohet me urgjencë. Nga SHBA-ja thonë se finalja duhet të ketë njohjen reciproke në qendër. Pavarësisht këtyre thirrjeve, kryeministri Kurti vazhdon të potencojë se dialogu nuk është prioritet kryesor.
Kështu i ka thënë sot presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, në një bisedë telefonike para se të udhëtojë drejt Brukselit për takim me krerët e institucioneve evropiane, përfshirë edhe përfaqësuesin special të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.