7.1 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Asambleisti Blerim Maqastena shkruan letër nga burgu i Serbisë: Faleminderit për gjithçka

Rekomandime

Këshilltari komunal nga radhët e PSD-së, Blerim Maçastena, i cili që prej muajit dhjetor të vitit të kaluar po qëndron në qendrën e paraburgimit në Prokuple të Serbisë, u ka shkruar letër kolegëve të tij të Kuvendit të Podujevës. Ka thënë se është ndier jashtëzakonisht mirë kur i ka lexuar procesverbalet e mbledhjes së jashtëzakonshme të mbajtur në muajin janar, e që i ishte kushtuar arrestimit të tij nga policia serbe. Nëpërmjet kësaj letre, ai ka kërkuar nga kolegët e tij përkushtim, ndershmëri dhe punë të mira për komunën.

- Advertisement -

“Më 6 janar 2021 më vizituan familjarët. Ndër të tjera më njoftuan që ‘Kuvendi Komunal sot nga ora 10:00 mbanë mbledhje të jashtëzakonshme për rastin tënd dhe jemi të thirrur si familje të marrim pjesë’. Ndjenjë e papërshkruar krenarie!”, ka shkruar në letrën e tij Blerim Maçastena, të cilën të enjten e ka lexuar këshilltari komunal i LDK-së, Qëndrim Softolli në fillim të mbledhjes së Kuvendit Komunal.

“Falë shokëve në fund të muajit mars i sigurova procesverbalet e mbledhjeve të Kuvendit Komunal (edhe pse kaluan 5 ditë në kontroll të Gjykatës). Me kënaqësi i lexova fjalimet e secilit prej jush. I dëgjova përshëndetjet dhe urimet e juaja. E vërejta përkushtimin e pashoq të secilit prej juve. I ndjeva emocionet e fjalimeve të shokëve dhe shoqeve për shokun e tyre. E di që rasti im i ka prekur ndjenjat e shumë qytetarëve anë e mbanë vendit, sidomos të atyre që i njoh dhe më njofin. Jam ndier shumë keq në fillim, po ndihem edhe tani, ju kërkoj falje të gjithëve”.

Maçastena ka shkruar se çdo javë i shkojnë me dhjetëra mesazhe inkurajuese nga dashamirë dhe se, edhe pse është larg vendit, ka thënë se kurrë nuk ndihet i vetëm.

- Advertisement -

“Deri më tani autoritetet e burgut kanë qasje korrekte ndaj meje, me shëndet jam mirë, e di që këto dy gjëra ju interesojnë më së shumti. Familjarët më vizitojnë rregullisht njëherë në javë. Gjithashtu ambasadori i Kosovës në Beograd z.Jetish Jashari më viziton rregullisht njëherë në muaj. Të dy palët më informojnë për zhvillimet në vend. Të dashur shokë e shoqe, nga ju dua ndershmëri në punë, punë të mira për Komunën dhe përkushtim për vendin, ju dëshiroj shëndet e të gjitha të mirat në jetë. Kurse shokut tuaj i mbetet të qëndrojë ashtu si i ka hije, ashtu siç është edukuar nga familja dhe shoqëria”, ka shkruar Blerim Maçastena.

Ai bashkë me shokun e tij, Berat Mexhuani (ky i fundit është liruar më 14.12.2020), ishin arrestuar më 12 dhjetor 2020 në afërsi të fshatit Mirofc të Podujevës. Atë ditë ata kishin dalë të ecin, por sipas Policisë, për shkak të mjegullës, kanë mundur të çorientohen dhe të futen brenda territorit serb.

- Advertisement -

Në muajin janar, këshilltarët komunalë të Podujevës kanë marrë vendim që ta ndihmojnë me 6 mijë euro familjen e këshilltarit të PSD-së, Blerim Maçastena. Ky vendim ishte marrë njëzëri nga të gjithë këshilltarët komunalë të pranishëm në një mbledhje të jashtëzakonshme.

Inicuesja e kësaj seance, këshilltarja e pavarur, Tringa Sfishta, ka thënë se arsyeja pse e kanë thirrur këtë mbledhje është për shkak, siç ka thënë ajo, të heshtjes totale nga ana e të gjitha instancave udhëheqëse të shtetit tonë rreth këtij rasti. Ajo kishte propozuar 5 mijë euro, por këshilltari i VV-së kishte kërkuar që t’i ndahen 6 mijë euro për familjen Maçastena. Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 ai kishte garuar për këshilltar komunal nën siglën e VV-së, por pas largimit të disa zyrtarëve të kësaj partie, Maçastena ishte rreshtuar në PSD.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit