Gjykata Supreme e Kosovës e ka kthyer në rigjykim rastin ‘Pronto’.
Gjykata e Apelit më 30 qershor 2020 pati ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e shkallës së parë për rastin “Pronto” dhe i kishte shpallur fajtorë Adem Grabovcin, Ilhami Gashin dhe Sedat Gashin.
Ata ishin të dyshuar për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.
Në vendimin e Supremes të siguruar nga Gazeta Express, që është marrë më 19 prill, ky institucion ka aprovuar kërkesat e të akuzuarve për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe rastin e ka kthyer në rigjykim.
Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar edhe avokati i Adem Grabovcit, Florent Latifaj.
“Po, po e ka kthy jo në Gjykatën e Shkalles së parë por në Gjykatën e Apelit, pasi kjo gjykatë e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Këta i ka shpallur fajtorë dhe Gjykata Supreme e ka dërguar kërkesën e ligjshmërisë prapë në Gjykatën e Apelit”, thuhet në përgjigjen e tij.
Po ashtu edhe zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu, e konfirmoi se rasti u kthye në rigjykim.
“Mundem të ju konfirmoj që me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, lënda në rastin e A.G është kthyer në rigjykim”, tha Antigona Uka-Lutfiu.