3.5 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Buxheti mbi 100 milionë euro për FSK-në nga viti i ardhshëm, flet Anton Quni, ish-ministër i Mbrojtjes

Rekomandime

Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2022-2024 e miratuar në mbledhjen e 10-të të Qeverisë parasheh që, duke filluar nga viti i ardhshëm, buxheti vjetor i Ministrisë së Mbrotjes për herë të parë të jetë mbi 100 milionë euro.

- Advertisement -

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, pas miratimit të Kornizës ku parashihet buxheti prej mbi 100 milionësh për Ministrinë që udhëheq ka thënë se Qeveria Kurti tregon përkushtimin e saj për një ushtri moderne.

“Qeveria Kurti tregon përkushtimin e saj që Kosova ta ketë një Ushtri moderne dhe me standarde të NATO-s, Ushtri e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe që kontribuon për paqen dhe sigurinë globale”, ka thënë Mehaj.

Gazeta Online “Reporteri.net”, ka kontaktuar me ish-ministrin e Mbrojtjes, Anton Quni, për ta pyetur për këtë gjë.

- Advertisement -

Sa i përket rritjes konkrete të buxhetit, ish-ministri Quni, tani deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK, thotë se është një shprehje e vullnetit nga ana e Qeverisë, që përmes Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve si një dokument planifikues financiar për periudhën e ardhshme tre vjeçare, të shtojë buxhetin e Ministrisë së mbrojtjes për rreth 30%.

Ai thotë që të materializohet ky vullnet, sigurisht se do të nevojitet që të përkthehet në dispozita ligjore në kuadër të Ligjit vjetor të buxhetit, prandaj shton se do të përkrahë rritjen e buxhetit për Ministrin e Mbrojtjes për vitin 2022.

- Advertisement -

“Por gjithsesi, se rritja e buxhetit kërkon edhe llogaridhënie dhe transparencë, prandaj përmes mbikëqyrjes demokratike parlamentare do të kujdesemi që fondet publike të shpenzohen në mënyrë racionale dhe transparente. Nga planet kur isha si Ministër, vetëm se kishim filluar përfshirjen e shoqërisë civile në proceset monitoruese të procedurave të hapura të prokurimit, por edhe qasjen në programe ndërkombëtare të shteteve për blerjen e pajisjeve ushtarake, sic është “Foreign Military Sale”. Vlerësoj se është e dobishme që një qasje e tillë të vazhdohet e posaçërisht të avancohet bashkëpunimi me shtetet e NATOs sa i përket blerjeve ushtarake “shtet me shtet”, por edhe përmes kontratave “direct commercial sales”, sipas praktikave të shteteve demokratike. Njëkohësisht është shumë e rëndësishme që të racionalizohen shpenzimet në mënyrë që gradualisht disa shërbime që për një kohë të gjatë janë siguruar përmes kontratkorëve për aq sa është e mundur të bëhet edhe përmes kapaciteteve të vet FSK-së”, ka thënë Quni për Reporterin.

Ai më tej ka thënë se Ministria e Mbrojtjes dhe FSK aktivitetin e saj e realizon në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ligjore, me fokus, implementimin e planit 10 vjeçar të tranzicionit.

“Kufizimet buxhetore për shkak të situatës së paparashikuar të pandemisë, sigurisht se mund të kenë shkaktuar efektet e veta. Mirëpo, pavarësisht se tani roli im është në Parlamentin e Kosovës, me përkushtim të shtuar bashkë me kolegët tjerë në kuadër të Komisionit parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri, do të mbështesim FSK-në në mënyrë që të ketë në dispozicion buxhetin e mjaftueshëm për të implementuar me sukses planin gjithëpërfshirës të tranzicionit”, ka thënë Quni për Reporterin.

Ai më tej thotë se Plani Gjithëpërfshirës i Tranzicionit është një dokument orientues në mënyrë që për një periudhë të caktuar kohore FSK, të rrisë kapacitetet e plota operacionale, duke përfshirë avancimin e infrastrukturës ligjore, zhvillimin profesional të kuadrove, ngritjen e infrastrukturës fizike, pajisjen me teknikë ushtarake dhe armatim, validimin e njësive nga ato të nivelit taktik dhe FSK-së si tërësi, zgjerimin bashkëpunimit ndërkombëtar, implementimin e projekteve në fushën e modernizimit dhe standardizimit të infrastrukturës dhe pajisjeve.

“Siç mund të jeni në dijeni, FSK për herë të parë po merr pjesë në një mision paqeruajtës ndërkombëtar, në kuadër të bashkë-zbarkimit me Ushtrinë Amerikane, në Kuvajt, duke shënuar kështu edhe hapin e parë për të dhënë kontributin në paqen dhe sigurinë globale. Prandaj, realizimi i të gjitha këtyre aktiviteteve sigurisht se ka një kosto të lartë financiare. Rrjedhimisht rritja e buxhetit është më se e domosdoshme për të përmbushur me sukses mandatin dhe detyrimet nga plani gjithëpërfshirës i tranzicionit”, ka deklaruar Quni. /Reporteri.net/.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit