7.4 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Ambasada britanike demanton se ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë kundër ndikimit rus

Rekomandime

Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd e demantoi një shkrim të gazetës britanike Telegraph, sipas të cilit, Britania e Madhe ka nënshkruar një marrëveshje me Serbinë kundër ndikimit rus.

Shkrimi u demantua më herët për REL-in edhe nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë.

- Advertisement -

Më 18 qershor, Telegraph ka shkruar se sekretari briatnik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se vendi i tij ka nënshkruar një marrëveshje të rëndësishme me Serbinë për të parandaluar ndikimin e Rusisë dhe se Britania do ta ndihmojë Serbinë për t’i rezistuar “ndikimit keqdashës” dhe “manipulimit” rus.

Marrëveshja, sipas artikullit, është nënshkruar gjatë vizitës së sekretarit Wallace në Beograd, më 16 qershor.

Ambasada britanike në Beograd i tha Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se në marrëveshjen e nënshkruar midis ministrive të Mbrojtjes të Serbisë dhe Britanisë së Madhe “nuk përmendet asnjë shtet tjetër”.

- Advertisement -

“Dokumenti është përqendruar në konsolidimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit aktual midis ministrive të Mbrojtjes të Serbisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Dokumenti trajton tema të tilla si pjesëmarrja e përbashkët e vendeve tona në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare”, tha Ambasada britanike.

Ajo shtoi se, gjatë vizitës, Wallace theksoi se “Mbretëria e Bashkuar e respekton neutralitetin ushtarak të Serbisë”.

- Advertisement -

“Sa i përket politikës sonë [britanike] ndaj Rusisë, ajo është paraqitur qartë në dokumentin strategjik publik ‘Rishikimi i Integruar i Politikës së Jashtme dhe i Mbrojtjes’”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës britanike për Radion Evropa e Lirë.

Në këtë dokument Rusia është shënuar si “kërcënim”.

Çfarë është nënshkruar?

Më 20 qershor, Mnistria serbe e Mbrojtjes, duke mohuar shkrimin e gazetës britanike Telegraph, tha se me Ministrinë britanike të Mbrojtjes është nënshkruar një marrëveshje për përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.

Sipas saj, me sekretarin britanik të Mbrojtjes nuk është nënshkruar asnjë dokument ku përmendet Rusia.

Një gjë të tillë nuk e ka deklaruar askund as ministri Wallace, tha ministria serbe.

“Subjekt i Marrëveshjes është zhvillimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e operacioneve shumëkombëshe, trajnimi ushtarak, mbajtja e ushtrimeve dypalëshe, shqyrtimi i përmirësimit të bashkëpunimit në domenin tokësor dhe ajror, mbrojtja kibernetike dhe rritja e mundësive për bashkëpunim midis industrive të mbrojtjes dhe institucioneve kërkimore shkencore”, tha Ministria serbe e Mbrojtjes.

Vizita e sekretarit britanik të Mbrojtjes, Ben Wallace, më 16 qershor, ishte vizita e tij e parë zyrtare në Serbi. Me atë rast janë bërë edhe disa stërvitje ushtarake në bazën “Jug”, afër Bujanocit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit