Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e ka përshëndetur vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme të PDK’së më 3 korrik, në prag të zgjedhjeve lokale.
Çitaku, me anë të një postimi në llogarinë e saj në ‘Facebook’, ka thënë se në një demokraci të shëndoshë, roli i opozitës është i rëndësishëm.
“PDK ka bërë hapin e duhur sonte duke vendosur për të shkuar në zgjedhje për lidershipin e partisë. Lajm jashtëzakonisht i mirë. Në një demokraci të shëndoshë roli i opozitës është vital. Bravo”, ka deklaruar ndër të tjera ajo.
Ajo ka shprehur respektin e saj për ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK’së, Enver Hoxhajn, duke thënë se në momente të vështira e mori nën udhëheqësi këtë parti.
PDK ka vendosur të mbajë Konventën zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të ri më 3 korrik.
Postimi i plotë i Vlora Çitakut:
PDK ka bërë hapin e duhur sonte duke vendosur për të shkuar në zgjedhje për lidershipin e partisë. Lajm jashtëzakonisht i mirë.
Përtej ndryshimeve nominale, ndryshimet programore dhe strukturore janë po aq të rëndësishme.
Në një demokraci të shëndoshë roli i opozitës është vital. Bravo 👏
Respekt maksimal për Enver Hoxhajn, i cili në rrethana krejt të jashtëzakonshme mori përgjegjësinë për ta udhëhequr PDK-në.
Na priftë e mbara!