Kryeministri i vendit Albin Kurti ka folur pas takimit me presidentin francez Emmanuel Macron në pallatin Elisee të Francës.
Mes tjerash Kurti tha se në këtë takim u trajtua edhe tema e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai tha se mesazhi është marrë, por se nuk kishte zotim se do të ketë liberalizim të vizave për Kosovën.
“Sigurisht që qytetarët e Kosovës janë të interesuar për liberalizimin e vizave dhe është e padrejtë që Kosova pas plotësimit të kritereve ende nuk ka viza. Në vizitën tonë kjo çështje është trajtuar. Jemi të sigurt që e kanë marrë mesazhin tonë, por nuk ka zotim që do të ketë liberalizim të vizave”, ka thënë Kurti në një lidhje direkte në rtk.
Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate adresuar mediave ka konfirmuar se në këtë takim u diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmen evropiane, si dhe sfidën e përbashkët në ballafaqimin me pandeminë COVID-19.