Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, do të mbajë më datë 29 qershor (e martë) një takim online me homologët e tij fqinjë.
Ai së bashku me Aleksandër Vuçic dhe Zoran Zaev do të zhvillojnë një video-konferencë online.
Tema e diskutimit mes liderëve është fokusi tek ‘mini-Shengeni Ballkanik’.
Mini-Shengeni është një nismë e përbashkët e Vuçiqit, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal. Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë iniciativë.
Megjithatë, në marrëveshjen për normalizimin ekonomik me Serbinë, të nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 4 shtator, 2020, në Uashington, njëra nga pikat parasheh edhe bashkëpunimin e Kosovës në kuadër të mini-Shengenit.
Vuçiq tha të enjten se pret që nga takimi të dalin vendime për veprime të përbashkëta kundër katastrofave natyrore dhe për qarkullim më të shpejtë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit.
“Ajo që ka një rëndësi të madhe për ne, është sistemi i lejeve të punës: ai që merr lejen e punës në territorin e njërit prej tre vendeve, të ketë leje pune në të tre vendet. Me këtë do të sigurojmë më shumë fuqi punëtore, që mungon në Serbi”, tha Vuçiq.