Gazeta e njohur zvicerane, Tages-Anzeiger, ka krahasuar çmimet e udhëtimeve nga Zvicra dhe Gjermania drejt Kosovës dhe Shqipërisë, nga ato drejt shteteve të tjera.
Tages-Anzeiger shkruan se çmimet e biletave për shqiptarët që jetojnë në këto dy shtete, janë shumë më të shtrenjta për t’u kthyer në Kosovë, krahas biletave drejt vendeve tjera.
“Gjeta një ofertë për fluturim me bileta kthyese nga Cyrihu në New York për 373 franga në fund të muajit korrik, ndërsa një bileta nga Cyrihu për në Prishtinë kushton rreth 720 franga”, ka thënë një shqiptar i Kosovës.
Një familjeje kosovare pesëanëtarëshe një udhëtim drejt Kosovës në sezonin e verës i kushton rreth 3600 franga, derisa gazeta shqiptarët i cilëson “minierë ari” për linjat ajrore. Megjithatë, këto çmime të larta nuk i prekin vetëm shqiptarët e Kosovës apo të Shqipërisë. Shtetet e Ballkanit, kryesisht Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ngadalë po bëhen një zonë e veçantë për alpinistët, shkak kjo peizazhet e bukura.
Një kompani ajrore që rregullisht fluturon drejt Prishtinës nga Cyrihu, Edelweiss, thotë se çmimet s’janë të larta dhe se kontrollohen nga ofertat dhe kërkesat.
“Faktori vendimtar është koha e rezervimit të fluturimit dhe vendet që ende janë në dispozicion”, ka thënë një zëdhënës i kompanisë.
Lehtësimi i masave anti-COVID ka shkaktuar kohëve të fundit rritje të kërkesës për të udhëtuar drejt Kosovës, me ç’rast kjo ka ndikuar edhe në çmim. Kosova nuk është më në listën e rreziqeve të Zyrës Federale të Shëndetit Publik dhe se autoritetet zvicerane nuk kanë gjetur “asnjë variant shqetësues të virusit”.
“Për ata që janë vaksinuar plotësisht, janë rikuperuar ose testuar negativisht, nuk ka asnjë detyrim karantine kur të kthehen nga Kosova dhe të hyjnë përsëri në Zvicër”, raporton Tages-Anzeiger.