Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, është sqaruar lidhur me deklaratën se disa prej vaksinave të sjella nga Norvegjia janë me afat të skaduar, deklaratë kjo e demantuar nga autoritetet norvegjeze, teksa ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë të publikohet data e skadimit të vaksinave AstraZeneca për imunizimin e koronavirusit.
Haxhiu, në emisionin ‘dPt te Fidani’ ka thënë se shqetësimi i tij ka qenë se pse ky donacion nuk është pranuar në prill, por në qershor të këtij viti.
“Pyetja ime ka qenë për MSH’në në zbatim të ligjit, për pranimin e donacioneve dhe atë që unë kam kërkuar sqarim nga MSH’ja, donacioni i cili është pranuar, të na sqarojë se pse Instituri Kombëtar i Shëndetësisë së Norvegjisë më 11 mars, kur ka tërhequr Astra Zenecën nga përdorimi ka deklaruar që ka 180 mijë ose më shumë vaksina në depo dhe nuk është ajo deklaratë e imja, por është deklaratë e Institutit të Shëndetësisë Publike, të cilët deklarojnë se nga këto vaksina, 58.200 u skadon më 30 qershor dhe të tjerave më 30 korrik”, deklaroi ai.
“Ky institut, më datën 22 prill, deklaron që në stok ka gjithsej 216 mijë vaksina Astra Zeneca prej të cilave, 24 mijë janë vaksina të cilat i takojnë Johnson&Johnson dhe se edhe ato, Instituti i Shëndetit Publik thotë se afati i skadimit të këtyre vaksinave është fundi i qershorit për një pjesë dhe pjesën tjetër fundi i korrikut”, ka thënë Haxhiu.
“Pyetja ime është pse është vonu MSH-ja me e marrë këtë donacion, kur Ministri Vita e ka taku më 18 prill ambasadorin norvegjez. Është dashur më shpejtë të sjellën vaksinat sesa afati i shkurtër që kanë aktualisht vaksinat e marra donacion. Ministria e Shëndetësisë duhet ta publikojë dokumentacionin dhe datën e skadimit të tyre”, ka shtuar më tutje deputeti i PDK’së.
Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kujdesit të Norvegjisë, Saliba Andreas Korkunc, në një përgjigje për Gazetën Express ka demantuar pretendimet e deputetit Haxhiu rreth skadimit të afatit të vaksinave të ardhura nga Norvegjia.
“Dozat e vaksinave të dërguara nga Norvegjia për në Kosovë kanë këta numra në paketim dhe këto data të skadimit.
ABW1277 31.07.2021 Vaxzevria 10×10 ml vial: 5
ABX2057 31.08.2021 Vaxzevria 10×10 ml vial: 1440
ABX2057 31.08.2021 Vaxzevria 10×10 ml vial: 264
ABW2953 31.07.2021 Vaxzevria 10×10 ml vial: 120”, ka thënë ai në një përgjigje përmes e-mailit.
“Në total 12 mijë e 500 doza skadojnë më 31 korrik, pjesa tjetër prej 170 mijë e 400 skadojnë më 31 gusht”, ka përfunduar Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kujdesit të Norvegjisë, Saliba Andreas Korkunc.