Profesori universitar, Blerim Latifi, ka kërkuar që Hungarisë t’i kthehet nderi pasi statuja e Gjergj Kastriotit është vendosur në sheshin e Budapestit.
Latifi ka kërkuar që të vendoset statuja e heroit kombëtar hungarez, Janosh Hunaidit, në Fushë Kosovë aty ku ai luftoi si pjesë e koalicionit ballkanik kundër Perandorisë Osmane.
“Hungarezët e vendosën Kastriotin në Budapest, ne tash duhet t’ua kthejmë nderin duke e vendosur aleatin e tij Janosh Huniadin në fushë betejën e tij në Fushë Kosovë”, ka thënë Latifi.
Statuja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, është vendosur në parkun qendror të Budapestit, përballë statujës së bashkëkohësit të tij, heroit të Hungarisë, Janosh Huniadit. Vendosja e bustit është nismë dhe dhuratë e Bashkisë së Tiranës për qytetin e Budapestit. Monumenti i Skëndërbeut, vendoset në kryeqytetin e Hungarisë, në shenjë nderimi dhe kujtimi për miqësinë dhe bashkëpunimin që heroi kombëtar shqiptar ka pasur me Huniadin, por edhe për miqësinë që vijon mes dy popujve dhe dy kryeqyteteve.