Deklarata e Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan se Turqia po punon për të rritur numrin e vendeve që njohin pavarësinë e Kosovës ka acaruar mjaft qarqet politike në Beograd.
Presidenti Aleksandër Vuçic, e ka konsideruar disa herë një mik homologun e tij turk. Siç bën të ditur B92, Vuçiç, ka deklaruar se do të flasë vetë me Erdoganin për këtë çështje.
Megjithatë, analiza në mediat serbe bëjnë të ditur se Erdogan e ka marrë çështjen e Kosovës, si një “peng politik” pikërisht kur po bëhet fjalë se Greqia, Qipro, Spanja, Rumania dhe Sllovakia do të njohin Kosovën.
Nëse ndodh kjo, atëherë sipas të gjitha gjasave, si Athina, ashtu edhe Nikozia, kanë marrë një koncension më shumë nga Berlini, Parisi, por edhe nga Uashingtoni për çështjen e Qipros. Ç’ka i shktakton problem të madh Turqisë.
Ndaj Erdogani ka arsye të jetë i mërzitur, e këtë mërzitje e kanë kapur serbët, të cilët si mjeshtra të mizaskenave po nisin të llastojnë “Sulltanin”.
Vojislav Laliç, një gazetar i njohur serb, që është korresponent i mediave serbe nga Ankaraja, tha se qëndrimi i Presidentit turk ndaj kësaj teme nuk është i rastësishëm, ashtu siç nuk është e rastësishme që ai përmendi Kosovën para vizitës së tij në Qipron veriore.
Turqia ka një marrëdhënie të veçantë me Kosovën dhe përfaqëson vazhdimësinë e politikës turke, megjithë pengesat e fundit.
Por Turqia nuk ka forcën për të “shtyrë” njohjen e Kosovës në të gjithë botën islamike, aq më pak në OKB.
“Tani 114 vende e njohin Kosovën dhe ne duam që ai numër të rritet. Shpresojmë që këtë vit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në takimin që do të kem me Biden, do ta diskutojmë përsëri këtë temë, që të punojmë së bashku për çështjen e njohjes së Kosovës “, tha ndër të tjera, Erdogan për gazetarët turq para se të nisej për në pjesën turke të Qipros së ndarë.
Turqia ishte vendi i dytë në botë që njohu pavarësinë e Kosovës, së bashku me Shtetet e Bashkuara, Shqipërinë dhe Afganistanin.
“Turqia po bën fushatë kryesisht brenda Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, e cila mbledh së bashku 57 vende, dhe Erdogan vazhdimisht është përpjekur të njohë unanimisht pavarësinë e Kosovës, por nuk ja ka arritur”, thekson gazetari serb.
Ndër anëtarët e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik vendet që nuk e kanë njohur Kosovën janë: Algjeria, Azerbajxhani, Turkmenistani, Maroku dhe Libani.
Qëndrimi i Erdogan ndaj Kosovës shkaktoi një përplasje me Serbinë në vitin 2013, kur presidenti turk deklaroi në Prishtinë se “Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”.
Pas kësaj, Presidenti i atëhershëm serb Tomislav Nikoliç anulloi një takim trepalësh midis Serbisë, Turqisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Por hapja e ambasadës së Kosovës në Jerulazem ka irrituar “Sulltanin”, i cili duket se po tenton të hakmerret me Kosovën. E kjo është pikërisht shkëmbimi i çështjes së Qipros me Kosovën. Nëse Athina e Nikozia do të njohin Kosovën, çka po e flasin përditë mediat ndërkombëtare, atëherë rëndësia e Ankarasë në Rajon, sidomos në trojet shqiptare do të bjerë shumë.
“Është e qartë që Ankaraja e kuptoi se ishte një lojë ndërkombëtare, ku Donald Trump luajti një rol kryesor dhe se Izraeli nga ana e tij njohu Kosovën si vendi i parë mysliman që hapi një ambasadë në Jeruzalem. Erdogan e kuptoi qartë se ai nuk e ka më forcën e mëparshme”, deklaroi Laliç për Sputnikun rus.
Sipas mediave serbe, Erdogan është i vetëdijshëm se nuk mund ta anashkalojë Serbinë nëse dëshiron të jetë i pranishëm në Ballkan.
Sipas B92, Presidenti turk po përpiqet të zhvillojë marrëdhëniet me Serbinë, sipas sistemit: “Të lëmë mënjanë çështjet që s’biem dakord”.
Erdogan foli për Kosovën përpara se të nisej për në Qipron veriore, ku Qipriotët Turq shpallën pavarësinë në 1974, e cila deri më tani është njohur vetëm nga Ankaraja.
Sipas mendimit të Laliç, momenti për deklaratën nuk u zgjodh rastësisht.
“Ai në të vërtetë dëshiron të bëjë në Qipro atë që mbështet në Kosovë – që pakica turke në Qipro të deklarojë një shtet të pavarur. Por ai vështirë se do të jetë në gjendje të fitojë mbështetës për këtë. Në fund të fundit, BE tha para vizitës së tij se nuk do të njihte kurrë dy shtete në Qipro”, thekson korresponenti i mediave serbe në Ankara.