Disa prej mërgimtarëve të cilët i shpëtuan aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë kanë aterruar tanimë në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.
Familjarët e mërgimtarëve kanë dalë me lule në dorë që mirëpresin ata.
Dhjetëra vetura të Ministrisë së Brendshme janë futur brenda aeroportit dhe do të shoqërojnë mërgimtarët deri në shtëpitë e tyre.
Të dielën, dhjetë persona me prejardhje nga Kosova humbën jetën dhe 45 u plagosën kur autobusi me të cilin udhëtonin, doli nga rruga në qytetin kroat, Sllavonski Brod të Kroacisë.
Autobusi me 67 pasagjerë, përfshirë fëmijë, ishte nisur nga Frankfurti për në Prishtinë.
Autoritetet kroate ishin të shpejtë në reagimin e tyre. Disa prej udhëtarëve janë ende duke u trajtuar në spitale.
“Puna e kujdesit për njerëzit e akomoduar në Slavonski Brod pas aksidentit nuk ka mbaruar. Ne gjithashtu kemi organizimin e akomodimit dhe nisjes së udhëtarëve të mbetur. Ata do të largohen nga Slavonski Brod në ditët dhe javët e ardhshme. Ne tashmë kemi rregulluar një fluturim nga Zagrebi për tre pasagjerë të enjten të cilët do të largohen nga spitali më 29 korrik”, konfirmoi drejtoresha e Kryqit të Kuq Slavonski Brod, Mirjana Matanoviq.